Shtyhet deri në 5 qershor mbajtja në paraburgim e gazetares së rrjetit Radio Evropa e Lirë Alsu Kurmasheva

Gazetarja e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva

Një gjykatë në Rusi vendosi të zgjasë mbajtjen në paraburgim të gazetares së Radios Evropa e Lirë Alsu Kurmasheva deri në 5 qershor.

Kurmasheva, e cila ka shtetësi ruso-amerikane u arrestua në qytetin rus Kazan tetorin e kaluar. 47 vjeçarja përballet me akuza të shumta, duke përfshirë mos regjistrimin si ‘agjente e huaj’.

Rusia e përfshiu Radion Evropa e Lirë, që financohet nga Kongresi Amerikan, në listën e ‘agjentëve të huaj’ në vitin 2020.

Radio Evropa e Lirë e cilëson burgosjen e redaktores të padrejtë dhe të motivuar politikisht.

Gazetarja, e cila shkoi në Rusi në maj për një urgjencë familjare, u ndalua për një kohë të shkurtër në qershor në një aeroport dhe iu konfiskuan pasaportat.

Ajo u arrestua në tetor dhe akuzohet për shpërndarje të informacioneve të rreme për ushtrinë ruse, akuzë për të cilën mund të dënohet me 10 vjet burg nëse shpallet fajtore.

Zonja Kurmasheva është një nga dy gazetarët që mbahen në burg nga Rusia.

Prej më shumë se një viti i burgosur është edhe gazetari i “The Wall Street Journal”, Evan Gershkovich, i cili akuzohet për spiunazh.