Trupat izraelite tërhiqen nga spitali Shifa

Ushtria izraelite u tërhoq nga spitali më i madh i Gazës herët të hënën pas një operacioni dyjavor, që ajo e cilësoi të suksesshëm, ndërsa banorët palestinezë thanë se la pas vetes të vrarë dhe shkatërrime të mëdha.

Ushtria e përshkroi bastisjen në spitalin Shifa si një nga operacionet më të suksesshme të luftës gati gjashtëmuajshe. Ajo tha se vrau shumë luftëtarë të Hamasit dhe militantë të tjerë, përfshirë operativë të lartë, dhe sekuestroi armë e të dhëna të vlefshme për shërbimet e zbulimit.

“Siç mund të shihni, shkatërrimi është i shkallës së gjerë në Shifa. Ka një numër të madh të vdekurish. Po planifikojmë të largojmë fillimisht të sëmurët dhe të plagosurit nga ky spital tek një spital tjetër, i vetmi i mbetur deri tani në Gazë, që ende ofron shërbime për pacientët,” tha infermieri palestinez Hussein Musaisen.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari tha se forcat izraelite kanë vrarë rreth 200 militantë dhe kanë arrestuar 900 militantë të dyshuar gjatë operacionit, përfshirë mbi 500 pjesëtarë të armatosur të Hamasit dhe grupit Xhihadi islamik. Ai tha se forcat izraelite konfiskuan valuta të ndryshme me vlerë prej 3 milionë dollarësh dhe dokumentacion sekret.

Sipas tij, grupet militante palestineze kishin shfrytëzuar spitalin si mburojë për të rivendosur selinë e operacioneve të tyre në pjesën veriore të Gazës.

Agjencitë e Kombeve të Bashkuara thanë se disa pacientë vdiqën dhe dhjetëra u rrezikuan gjatë operacionit që solli edhe më shumë shkatërrim në një spital që tashmë kishte pushuar së funksionuari. Ditët e luftimeve të ashpra treguan se Hamasi ende mund të bëjë rezistencë edhe në një nga zonat më të goditura të Gazës.

Zyrtarët izraelitë e cilësuan operacionin si njëri nga më të suksesshmit që nga fillimi i luftës në tetor dhe thanë se në mesin e të vrarëve ka veprimtarë të lartë të grupeve militante palestineze.

Mohammed Mahdi, i cili ishte në mesin e qindra palestinezëve që u kthyen në zonë, e përshkroi vendin si skenë të "shkatërrimit të tërësishëm”. Ai tha se disa ndërtesa ishin djegur dhe se kishte numëruar gjashtë trupa në zonë, duke përfshirë dy në oborrin e spitalit.

Video pamjet e shpërndara në internet tregojnë ndërtesa të dëmtuara dhe të djegura rëndë, grumbuj dheu dhe pacientë të shtrirë në barela në korridoret e errëta.

Izraeli e ka akuzuar Hamasin për përdorimin e spitaleve për qëllime ushtarake dhe ka bastisur disa objekte mjekësore. Ushtria izraelite tha se nisi operacionin në Shifa pasi Hamasi dhe militantët e tjerë ishin rigrupuar atje.

Zyrtarët shëndetësorë në Gaza i mohojnë këto akuza. Kritikët akuzojnë ushtrinë për rrezikimin e pamatur të civilëve dhe për shkatërrimin e një sektori shëndetësor tashmë të mbingarkuar me të plagosur nga lufta. Palestinezët thonë se trupat izraelite evakuuan me forcë shtëpitë pranë spitalit Shifa në qendër të qytetit të Gazës dhe detyruan qindra banorë të ikin në jug.

Të paktën 21 pacientë kanë vdekur që nga fillimi i operacionit, shkroi në rrejtin X Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Ai tha të dielën vonë se mbi njëqind pacientë ishin ende brenda kompleksit, duke përfshirë katër fëmijë dhe 28 në gjendje të rëndë.

“Lejuan vetëm një sasi të vogël ushqimi, që ishte i pamjaftueshëm. Ishim 150 pacientë dhe 50 mjekë e infermierë dhe ushqimi nuk mjaftonte. Nuk kishim trajtim, as ilaçe. Vetëm bombardime që nuk ndaleshin dhe shkatërruan spitalin. As gjumë, vetëm frikë dhe shqetësim. Pritëm që ata të largoheshin, por ata nuk u larguan deri sot dhe ne kemi që 15 ditë në këtë gjendje,” tha pacienti Barra Al-Shawish për agjencinë Reuters.

Ushtria kishte bastisur më parë Shifan, spitalin më të madh të Gazës, në nëntor, pasi tha se Hamasi mbante një qendër komandimi dhe kontrolli brenda kompleksit. Ajo zbuloi një tunel që kalonte poshtë spitalit dhe të çonte në disa dhoma, si dhe armë që tha se kishte konfiskuar nga brenda ndërtesave mjekësore, por asgjë në shkallën e asaj që kishte pretenduar përpara operacionit.

Përfundimi i operacionit në Shifa vjen ndërkohë që tensionet po shtohen në Izrael, ku dhjetëra mijëra njerëz protestuan të dielën kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në demonstratën më të madhe anti-qeveritare që nga fillimi i luftës së Izraelit kundër Hamasit.

Protestat vazhduan në Jeruzalem, pranë rezidencës së kryeministrit Netanyahu edhe të hënën.

“Nuk mund ta mendoj se si Netanyahu mund të vazhdojë të qëndrojë në pushtet se po na shtyn drejt humnerës. Jemi në një pikë që nëse ai nuk zëvendësohet dhe nëse nuk vjen një udhëheqës dhe një koalicion i ri që të marrë përsipër qeverisjen, të gjithë jemi të mallkuar,” tha protestuesi izraelit Guy Poran.

Lufta filloi më 7 tetor, kur militantët e udhëhequr nga Hamasi hynë në jug të Izraelit, duke vrarë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë dhe duke marrë peng rreth 250 veta.

Izraeli u përgjigj me sulme nga ajro, toka dhe deti, gjatë të cilëve sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, u vranë të paktën 32,782 palestinezë. Ministria nuk bën dallim midis civilëve dhe luftëtarëve në numërimin e saj, por thotë se gratë dhe fëmijët përbëjnë rreth dy të tretat e të vrarëve.

Ushtria izraelite thotë se ka vrarë mbi 13,000 luftëtarë të Hamasit dhe fajëson militantët palestinezë për numrin e viktimave civile, sepse ata luftojnë në zona të banimit me popullsi të dendur.

Lufta ka zhvendosur shumicën e popullsisë së territorit dhe ka çuar një të tretën e banorëve të saj në prag të urisë. Gaza veriore, ku ndodhet Shifa, ka pësuar një shkatërrim të madh dhe ka mbetur kryesisht e izoluar që nga tetori, duke çuar në uri të përhapur.

Izraeli tha në fund të vitit të kaluar se kishte shkatërruar në masë të madhe Hamasin në veri të Gazës dhe kishte tërhequr mijëra trupa. Por ushtria ka luftuar me militantët atje në një sërë rastesh që atëherë, dhe dy javët e luftimeve të rënda rreth Shifas nxorën në pah fuqinë rezistuese të grupeve të armatosura.

Lexoni edhe këtë Vazhdojnë luftimet në gjithë Gazën

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, është zotuar të vazhdojë luftën deri në shkatërrimin e Hamasit dhe lirimin e pengjeve. Ai thotë se Izraeli së shpejti do të zgjerojë operacionet tokësore në qytetin jugor të Rafahut, ku rreth 1.4 milionë veta, më shumë se gjysma e popullsisë së Gazës, kanë kërkuar strehim.

Por ai përballet me trysni në rritje nga izraelitët që e fajësojnë atë për dështimet e sigurisë të 7 tetorit dhe një pjesë familjeve të pengjeve që e fajësojnë atë për dështimin për të arritur një marrëveshje, pavarësisht bisedimeve disa javëshe të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti.

Hamasi dhe militantë të tjerë, besohet se ende mbajnë rreth 100 pengje dhe trupat e 30 të tjerëve, pasi liruan pjesën tjetër gjatë një armëpushimi nëntorin e kaluar, në këmbim të lirimit të palestinezëve të burgosur nga Izraeli.

Dhjetëra mijëra izraelitë u mblodhën në Jerusalemin qendror të dielën. në protestën më të madhe antiqeveritare që kur vendi hyri në luftë në tetor.