Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shkarkoi një ndihmës të lartë dhe disa këshilltarë të tjerë të tij në kuadër të ndryshimeve që ai ka ndërmarrë në kabinetin e tij, ndërsa Rusia ndërmori sulme të reja ndaj Ukrainës.
Zoti Zelensky shkarkoi ndihmësin e tij të lartë Serhiy Shefir, i cili ka shërbyer në postin e ndihmësit të tij të parë që nga vitit 2019. Presidenti ukrainas shkarkoi tre këshilltarë të tjerë dhe dy përfaqësues presidencialë, të cilët kanë mbikqyrur aktivitetet vullnetare dhe të drejtat e ushtarëve.
Nuk është dhënë asnjë shpjegim për ndryshimet e fundit të personelit në zyrën e Presidentit, më të mëdhatë në muajt e fundit. Ato pasojnë shkarkimin të martën të zotit Oleksii Danilov, i cili ka shërbyer në postin e sekretarit të Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare, dhe shefin e forcave të armatosura Valerii Zaluzhnyi më 8 shkurt. Në fillim të këtij muaji zoti Zaluzhnyi u emërua në postin e ambasadorit të Ukrainës në Britani.
Ndërkohë ushtria e Ukrainës tha se të shtunën në orët e para të mëngjesit Rusia ka kryer 12 sulme me dronë iranianë Shahed si dhe katër sulme me raketa në pjesën lindore të Ukrainës.
Rusia ka kryer gjithsej 38 sulme me raketa, 75 sulme ajrore dhe 98 sulme me raketahedhës në 24 orët e fundit, thuhet në një njoftim të ushtrisë së Ukrainës në mediat sociale.
Kompania energjetike ukrainase “Centrenergo” njoftoi po ashtu të shtunën se termocentrali “Zmiv”, një nga termocentralet më të mëdha në rajonin lindor të Kharkivit është shkatërruar tërësisht nga bombardimet ruse javën e kaluar. Rajoni me 120 mijë banorë është ende me orar të shkurtuar të furnizimit me energji elektrike. Rreth 700 mijë banorë të kësaj zone mbetën pa energji elektrike pas sulmit ndaj termocentralit më 22 mars.
Rusia i ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës në ditët e fundit, duke shkaktuar dëme të mëdha në disa rajone të vendit.
Zyrtarët në rajonin e Poltavës thanë se disa objekte infrastrukturore janë goditur disa herë, por ata nuk thanë se bëhej fjalë për sulme ndaj infrastrukturës energjetike.