Ambasada amerikane në Sarajevë akuzoi të premten presidentin e Republikës Serbe, Milorad Dodik për “sulm të drejtpërdrejtë ndaj strukturës shtetërore të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe marrëveshjes së Paqes së Dejtonit”, që i dha fund luftës në vitin 1995.
Natën ndërmjet së enjtes dhe të premtes, Asambleja e Republikës Serbe miratoi projektligjin zgjedhor të këtij entiteti, teksti i të cilit parashikon përvetësimin e kompetencave të Bosnjës e Hercegovinës për zhvillimin e zgjedhjeve në vend.
Ky qëndrim i entitetit serb pasoi njoftimin e Përfaqësuesit të Lartë për Bosnjën Christian Shmidt, për ndryshime në procesin zgjedhor në Bosnje dhe Hercegovinë. Njoftimi që u mbështet nga Shtetet e Bashkuara, u kundërshtua nga Milorad Dodik, i cili kërkoi të enjten që brenda 7 ditësh të anulohen vendimet e zotit Shmidt, “në të kundërtën përfaqësuesit e Republikës Serbe do të braktisin institucionet vendimmarrëse të Bosnjës e Hercegovinës” dhe nuk do të kthehen më.
Në një komunikatë të ambasadës amerikane në Sarajevë thuhet se përfundimet dhe legjislacioni që Milorad Dodiku dhe partnerët e tij në koalicionin qeverisës në Republikën Serbe nxorën dje, “përfaqësojnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj strukturës shtetërore të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit. Siç bëjnë shpesh, z. Dodik dhe sejmenët e tij, demonstruan përbuzjen e tyre për demokracinë dhe pluralizmin politik me gjuhën e neveritshme që u drejtuan anëtarëve të asamblesë që kundërshtuan këto masa”.
Ambasada thekson se nuk është befasi që z. Dodik dhe simpatizantët e tij sulmuan veprimin e fundit të Përfaqësuesit të Lartë për të forcuar integritetin e procesit zgjedhor, “duke qenë se zgjedhjet e lira dhe të ndershme paraqesin një kërcënim ekzistencial për partitë që mbështeten në mashtrime për të ruajtur kontrollin e tyre në pushtet”.
Ambasada tërheq vërejtjen se projektligji zgjedhor i Republikës Serbe “do të uzurponte kompetencat e nivelit shtetëror dhe do të krijonte një sistem zgjedhor paralel”. Kjo, thuhet në komunikatë, është një shembull tjetër i politikave destruktive, anti Dayton të zotit Dodik, të cilat kanë penguar rrugëtimin e Bosnjës drejt integrimit euroatlantik.
Milorad Dodiku tha të enjten se ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Gjermanisë, si dhe përfaqësuesi Schmidt, duhet të shpallen armiq të Bosnjës dhe të dëbohen nga vendi.
Ambasada amerikane nuk i komentoi këto kërkesa, por tha se nëse z. Dodik donte të lehtësonte mbylljen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë, dhe të avanconte me shpejtësi integrimin e Bosnjës në institucionet evropiane, ai mund ta bënte këtë duke u angazhuar në negociata të mirëbesimit që synojnë të krijojnë konsensus dhe kompromis, si dhe duke përqafuar reforma në përputhje me standardet evropiane në vend që t'u rezistojë atyre, përmes politikës së bllokadës e shantazhit.
Lexoni edhe këtë Udhëheqësit evropianë pajtohen për hapjen e negociatave me Bosnjën për anëtarësimin e saj në BEMbledhja e Asamblesë së Republikës Serbe, thuhet në komunikatë, është dëshmi se zoti Dodik nuk kujdeset për njerëzit e këtij vendi, përfshirë banorët e Republikës Serbe dhe është i përgatitur të sakrifikojë përparimin e zgjedhësve të tij për interesat e tij të ngushta politike dhe financiare.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht tërësinë tokësore, sovranitetin dhe karakterin shumetnik të Bosnjës dhe Hercegovinës, dhe ne do të vazhdojmë të përdorim mjetet që kemi në dispozicion për të trajtuar veprimet kundër marrëveshjes së Dejtonit”, thuhet në komunikatën e ambasadës amerikane në Sarajevë.
Një politikan pro rus, Milorad Dodiku, i cili më parë ka bërë thirrje për shkëputjen e entitetit të tij dhe bashkimin me Serbinë, është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Pas luftës së viteve të 90-ta, që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë, Bosnja u nda në dy entitete autonome, Republikën Serbe dhe Federatën e dominuar nga boshnjakët dhe kroatët, të lidhura nga një qeveri e dobët qendrore në Sarajevë.