Mjekët që vizituan spitalin e Gazës të alarmuar me gjendjen e fëmijëve palestinezë

Mjekët operojnë një pacient në spitalin Martirët e Al-Aksës në qytetin Deir al-Balah, në pjesën qendrore të Rripit të Gazës më 17 mars, 2024/AP

Ajo që tronditi më së shumti një ekip ndërkombëtar mjekësh që vizitoi një spital në pjesën qendrore të Gazës, ishte numri i madh i fëmijëve të plagosur palestinezë, që vazhdonin të vinin në spital. Personeli i spitalit ishte i mbilodhur nga numri i lartë i viktimave të bombardimeve izraelite që dërgoheshin aty.

Your browser doesn’t support HTML5

Mjekët që vizituan spitalin e Gazës të alarmuar me gjendjen e fëmijëve palestinezë

Pediatrja e kujdesit intensiv nga Jordania, Tanya Haj-Hassan është e tronditur nga rastet që kishte parë vetëm gjatë 10 orëve të qëndrimit në spitalin Martirët e al-Aksës në qytetin Deir al-Balah të Rripit të Gazës.

“Është një katastrofë. Ka aq shumë të lënduar. Është dëmtuar rëndë kapaciteti jo vetëm i këtij spitali, por i tërë sistemit shëndetësor, që është goditur dhe rrënuar për muaj të tërë. Këtyre u shtohet edhe përhapja e sëmundjeve ngjitëse, të kequshqyerit dhe përkeqësimi i përgjithshëm i shëndetit të njerëzve, sidomos i atyre me sëmundje kronike... Qartazi kemi të bëjmë me një sistem që nuk po ia del dot,” thotë ajo.

Pediatrja Haj-Hassan është pjesë e ekipi të shtatë mjekëve që po punojnë në këtë spital që nga mesi i muajit mars, me nismën e Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit dhe organizatës Ndihma Mjekësore për Palestinezët.

Vizita dyjavore u ka dhënë atyre mundësinë të shohin nga afër gjendjen e sektorit shëndetësor në Gazë pas ofensivës së Izraelit në këtë territor.

“Njerëzit janë lodhur. Ekipi ynë punoi aty pesë ditë dhe u dërrmuam. Nuk mund ta shpjegoj me fjalë se si po e përballon ekipi i Gazës që është në këto kushte prej 162 ditësh, duke e bërë këtë punë pa reshtur dhe pa burime,” thotë pediartja Haj-Hassan.

Afro 10 nga 36 spitalet e Gazës funksionojnë pjesërisht. Pjesa tjetër janë plotësisht jashtë funksionit – disa prej tyre kanë mbetur pa karburant, apo ilaçet, u rrethuan apo u bastisën nga forcat izraelite, apo u dëmtuan gjatë bombardimeve.

Pjesa tjetër e spitaleve, përfshirë spitalin Martirët e al-Aksës, detyrohen të pranojnë një lumë pacientësh përkundër vështirësive me pajisje të kufizuara dhe ekipe mjekësore të dërrmuara.

Një ekip i ngjashëm qëndroi në këtë spital gjatë muajit janar.

Por kësaj here, për shkak të sulmeve të shtuara të Izraelit në këtë pjesë të Gazës, ishte shumë rrezik që ky ekip të qëndronte në një bujtinë afër. Ata u detyruan të qëndrojnë në spital, duke parë çdo ditë, për 24 orë rresht, përshkallëzimin e luftimeve gjatë dy javëve.

“Pacientët janë të shtrirë nëpër korridore. Nuk po gjejmë vend për pacientë. Ata janë nëpër korridore, të shtrirë nëpër dyshekë apo batanije të vendosura në tokë, apo shtretër pa asgjë në ta. Po vuajnë shumë,” thotë infermieri Mustafa Abu-Qassim nga Jordania.

Zakonisht, spitali Martirët e Al-Aksës ka një kapacitet prej 160 shtretërish, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, por tani po ballafaqohet me 800 pacientë, sipas zyrtarëve të spitalit.

Në kushte normale, ekipi i spitalit ka 120 punonjës, por shumë prej tyre më nuk mund të shkojnë në punë, duke lënë spitalin në duar të një ekipi të ngushtë mjekësh dhe infermierësh përballë këtij numri të madh pacientësh.

“Shumica kanë humbur fëmijët, bashkëshortët e prindërit e tyre. Por përkundër kësaj, ata po vazhdojnë punën e tyre. Kjo tregon trysninë psikologjike me të cilën po përballen,” thotë infermieri Abu-Qassim.

Mjekët po ushqehen minimalisht me ushqim konservash. Shumë prej tyre i marrin fëmijët me vete në spital për t’i patur afër, sipas infermierit Abu-Qassim.

Deri më tani, bombardimet izraelite në Gazë kanë shkaktuar vdekjen e rreth 32 mijë palestinezëve dhe plagosjen e afro 75 mijë prej tyre në një territor me një popullsi prej 2.3 milionë banorësh, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës të drejtuar nga Hamasi.

Ofensiva e Izraelit u bë si reagim ndaj sulmit të Hamasit në vendbanimet jugore izraelite më 7 tetor, gjatë të cilit militantët e grupit, që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur terrorist, vranë 1,200 izraelitë dhe rrëmbyen 250 pengje, prej të cilëve rreth 100 vazhdojnë të mbahen në Gazë.

Që nga fillimi i luftës, Izraeli pothuajse ndërpreu futjen e ushqimit, karburanteve dhe ilaçeve në Gazë.

Bashkësia ndërkombëtare i ka bërë thirrje Izraelit të lejojë futjen e ndihmave humanitare në këtë territor.