Gërvalla: Nuk ka tension në marrëdhëniet me SHBA-të

Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla

Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla tha se marrëdhënien e Kosovës me Shtetet e Bashkuara janë shumë të mira, pavarësisht se mbi disa tema nuk pajtohen plotësisht.

Ndërsa diplomatët amerikanë janë shprehur se mungesa e bashkërendimit për çështjen e përdorimit të dinarit ka dëmtuar partneritetin me qeverinë e Kosovës, zonja Gërvalla tha se “ka disa tema ku nuk pajtohemi 100 për qind në aspektin teknik”, duke shtuar se “vënia në pikëpyetje e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ka ndodhur asnjëherë”.

Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, ajo foli edhe mbi mungesën e përparimit të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nëse çdo gjë që bëjmë në Bruksel nën ndërmjetësimin e partnerëve tanë evropianë, kohën e skadencës e ka derisa Serbia të tërhiqet, atëherë duhet vetes t’ia shtrojmë pyetjen sa ia vlen që shpenzojmë kaq shumë kohë në Bruksel për marrëveshje që në fund edhe ashtu, nuk e obligojnë Serbinë t’u përmbahet”, u shpreh ajo.

Sa i përket mundësisë që Mali i Zi të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, zonja Gërvalla tha se “do të ishte natyrisht një regres i rëndë në raportet tona bilaterale, prandaj nuk besoj se Mali i Zi do të marr një vendim të tillë”.

Your browser doesn’t support HTML5

Gërvalla: Nuk ka tension në marrëdhëniet me SHBA-të


Zëri i Amerikës: Zonja Gërvalla nesër në mbledhjen e Komisionit për politikë dhe demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës pritet të diskutohet raporti për Kosovën. Cilat janë pritshmëritë tuaja?

Donika Gërvalla: Ne mendojmë se nëse nesër krijohet kuorumi i nevojshëm për trajtimin e kërkesës për Kosovën, atëherë mendojmë që një kërkesë e tillë, pra raporti do të mund të miratohet. Dhe më lejoni të konstatoj sot se rrallë ndonjëherë në historinë e anëtarësimeve pas vitit 1990 në Këshillin e Evropës ndonjë shtet ka qenë kaq i përgatitur për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Kemi vepruar së bashku me të gjithë mekanizmat e Këshillit të Evropës, raporti është pozitiv, të gjitha detyrat e shtëpisë janë bërë, prandaj presim që gjatë marsit, gjatë prillit por edhe gjatë majit të kemi lëvizje në këtë drejtim.

Zëri i Amerikës: Zonja Gërvalla, megjithatë zyrtarë të Malit të Zi nga radhët e Partisë Demokratike Popullore pro serbe lanë të kuptohet se delegacioni i tyre do të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës ndonëse vendi e njeh pavarësinë e Kosovës. A i druheni votës në Asamblenë Parlamentare në muajin prill apo në Këshillin e Ministrave në takimin e majit?

Donika Gërvalla: Vota për anëtarësimin e Kosovës që do të jepet nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të jetë një votë masive pozitive për Kosovën, të paktën kështu na tregojnë të gjitha bisedat që kemi zhvilluar deri tani ndërsa sa i përket Malit të Zi, me Malin e Zi kemi marrëdhënie të mira dhe unë nuk besoj që shtetet tona fqinje do të duhej të votonin kundër, megjithatë mbetët të shohim gjatë ditëve të ardhshme.

Nuk do të varet nga vota e Malit të Zi anëtarësimi apo mos anëtarësimi i Kosovës, por do të ishte natyrisht një regres i rëndë në raportet tona bilaterale, prandaj nuk besoj se Mali i Zi do të marr një vendim të tillë.

Zëri i Amerikës: Ju thatë më herët se keni bërë detyrat e shtëpisë. Mbyllja e çështjes së pronave të Manastirit të Deçanit përmbushi një nga kriteret që lidhej drejtpërdrejtë me kërkesën tuaj për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Por diplomatë amerikanë thanë se çështje të tjera si ajo e Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të ndikojë në këtë proces. A mund të shfaqet kjo çështje si pengesë në rrugën tuaj?

Donika Gërvalla: Raporti i Këshillit të Evropës e thotë shumë qartë se Kosova përmbushë të gjitha standardet më të larta të demokracisë, të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, të mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve jo shumicë, sundimi i ligjit dhe të tjera që janë kritere për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. I hapur pati mbetur vetëm implementimi nga ana e institucioneve i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, një temë që është zgjidhur në ndërkohë, dhe krijimi i kushteve shtesë, pra shtimi i kushteve të cilat nuk janë paraparë në raport, do të ishte një qasje shumë e padrejtë ndaj kërkesës sonë, prandaj edhe nuk besoj që ka për të ndodhur.

Zëri i Amerikës: Një ditë më parë delegacionet e Kosovës dhe Serbisë u takuan për herë të dytë në Bruksel, por pa gjetur sukses për një zgjidhje rreth mbështetjes financiare të serbëve të Kosovës nga Beogradi pas vendimit të Bankës Qendrore që përcakton se për pagesat kesh mund të përdoret veëm monedha euro në Kosovë. Cilat janë gjasat për të arritur një marrëvshje.

Donika Gërvalla: Ndërkohë që duhet konstatuar që nuk asnjë dyshim që euro është e vetmja monedhë që vlen në Kosovë, sipas parimit të të gjitha shteteve demokratike ku vlen ‘një shtet – një valutë’, kemi konstatuar që mund të ketë ndonjë problem aty-këtu për ndonjërin nga qytetarët tanë që duhet të kërkoj zgjidhje. Mirëpo, mos të harrojmë se kemi që nga viti 2011 që diskutojmë me Serbinë në Bruksel rreth institucioneve ilegale edhe rreth shpërbërjes së tyre, që ka qenë një premtim i qeverisë së atëhershme serbe në vitin 2013. Një shpërbërje e tillë e tërësishme nuk ka ndodhur deri tani, prandaj edhe ende jemi duke diskutuar tema të vjetra. Ne me Serbinë jemi marrë vesh në Bruksel duke pranuar të dyja palët atë që në fillim quhej propozimi franko-gjerman e më pas u bë propozimi i BE-së, i cili rezultoi në marrëveshjen e 27 shkurtit të vitit të kaluar. Në si Kosovë kemi qenë e gatshme ta nënshkruajmë menjëherë në Bruksel. Serbia ka refuzuar. Sot, fatkeqësisht nuk jemi në gjendje të themi kemi apo nuk kemi marrëveshje ligjërisht të obligueshme për të dyja palët, për shkak se kemi mbetur e vetmja palë, pra Kosova, që lufton për implementimin e plotë të asaj marrëveshjeje. Nëse çdo gjë që bëjmë në Bruksel nën ndërmjetësimin e partnerëve tanë evropianë, por edhe me ndihmën e partnerëve tjerë, dhe atyre të Shteteve të Bashkuara, kohën e skadencës e ka vetëm disa javë, derisa Serbia të tërhiqet nga ago vendime, atëherë duhet vetes t’ia shtrojmë pyetjen sa ja vlen që shpenzojmë kaq shumë kohë në Bruksel për marrëveshje që në fund edhe ashtu, nuk e obligojnë Serbinë t’u përmbahet.


Zëri i Amerikës: Çështja e dinarit nxiti mospajtime ndërmjet jush dhe aleatëve kryesore të Kosovës, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Diplomatët amerikanë thanë se mungesa e bashkërendimit ka dëmtuar partneritetin me qeverinë tuaj. A jeni të shqetësuar për dëmtimin e këtij partneriteti?


Donika Gërvalla: Unë mendoj se ka shumë keqkuptime dhe shumë keqinterpretime lidhur me një rregullore të re të Bankës Qendrore të Kosovës që është një institucion i pavarur, në punët e së cilës qeveria e Republikës së Kosovës nuk përzihet. Mirëpo, çfarë jemi duke diskutuar është çështje e implementimit të asaj rregulloreje, ku e kemi pranuar në ndërkohë, se bashku me partnerët tanë që mund të jetë nevojë aty-këtu për ndonjë fazë më të gjatë ose më të zgjatur për implementimin e saj. Mund t’ju them që marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të mira. Dhe janë shumë të mira sepse në të gjitha temat që trajtojmë në rajonin tonë, kemi të njëjtin qëndrim dhe kemi të njëjtat synime.


Zëri i Amerikës: Megjithatë shqetësimi ka qenë i pranishëm zonjë Gërvalla mbi qëndrimet që kanë mbajtur autoritetet e Prishtinë mbi çështjen e dinarit. A mendoni se mund të ketë një ndryshim të qëndrimit tuaj për të zbutur këtë tensionim të raporteve?


Donika Gërvalla: Ne, e para, nuk kemi tensionim të raporteve prandaj duhet të ishim shumë të kujdesshëm në terminologjinë që përdorim. Kemi disa tema ku nuk pajtohemi 100 për qind në aspektin teknik, mirëpo kjo është plotësisht normale në marrëdhëniet mes dy partnerësh të ngushtë. Konsideroj se kjo është shumë normale, jo vetëm mes partnerësh, mes dy shtetesh, por është normale edhe në një familje, e cila, përsëri po e përsëris, kemi të njëjtat synime të dyja, edhe SHBA edhe Republika e Kosovës, në të gjitha temat që kanë të bëjnë me rajonin tonë edhe me përparimin e vendeve tona. Që kemi debat lidhur me tema të caktuara është krejtësisht normale. Mirëpo, vënia në pikëpyetje e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ka ndodhur asnjëherë dhe nuk ka qeveri të Kosovës, nuk ka institucione të Kosovës, as këto të tanishmet, as ato që mund të vijnë në të ardhmen të cilat do të mund ta vinin në pikëpyetje një relacion të tillë.