Gjyqi i parë penal ndaj ish presidentit Trump fillon më 15 prill

Ish presidenti Donald Trump kritikoi të hënën vendimin e gjykatës për të caktuar datën 15 prill për gjyqin për pagesën e bërë për të fituar heshtjen e aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels. Profesori i juridikut Will Thomas thotë se procesi ka mundësi të përfundojë përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Ai shton se barra e provës, që nuk është e lehtë, u bie prokurorëve që të bindin 12 anëtarët e jurisë se ish presidenti është fajtor për 34 shkeljet ligjore.

Your browser doesn’t support HTML5

Gjyqi i parë penal ndaj ish presidentit Trump fillon më 15 prill

Presidenti Trump përballet me 4 padi të ndryshme penale. E para prej tyre, që pritet të shkojë në gjyq më 15 prill, ka të bëjë me akuzat për falsifikimin e të dhënave të biznesit për të fshehur një pagesë prej 130 mijë dollarësh për të fituar heshtjen e aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels. Sipas profesorit të universitetit të juridikut në Miçigan, përpjekjet e avokatëve të ish presidentit për ta shtyrë datën e gjyqit ishin të pasuksesshme.

“Nga sa dëgjova nga seanca e së hënës mendoj se do të qëndrojë data e gjyqit për në mesin e muajit prill. Argumentet e ekipit ligjor të ish presidentit Trump nuk arritën ta bindin gjykatën dhe duket se nuk ishin të konceptuara mirë nga ana ligjore. Duket se gjykata ka filluar ta humbasë disi durimin me avokatët e Trump-it. Duket se gjykata nuk është e prirë për ta shtyrë datën e 15 prillit”, thotë profesori i juridikut Will Thomas, nga Universiteti i Miçiganit.

Caktimi i datës së fillimit të gjyqit e bën tashmë zotin Trump ish presidentin e parë amerikan që do të dalë në gjyq me akuza penale. Gjyqi ka mundësi të përfundojë para zgjedhjeve të nëntorit dhe votuesit mund ta dinë nëse ai do të dënohet, apo shpallet i pafajshëm.

Sidoqoftë, shanset janë kundër prokurorëve në këtë çështje gjyqësore, thotë profesori Thomas.

“Në një çështje të tillë, prokurorët kanë të gjithë barrën për të paraqitur prova të shumta që nuk duhet të lënë vend për dyshim. Do të nevojitet unanimitet nga një juri prej 12 personash dhe prokurorëve do t’u duhet të bindin secilin prej tyre. Pra shanset janë kundër prokurorëve. Në një proces të tillë me shumë pjesëza të vogla që ndryshojnë, është sfida e prokurorëve që të paraqesin një çështje të qartë dhe koherente për ato që kanë ndodhur dhe për të nxjerrë përgjegjësitë penale”, thotë profesori Thomas.

Ish presidenti Trump thotë se është i pafajshëm për 34 akuzat e ngritura për falsifikimin e të dhënave të biznesit për të fshehur pagesën prej 130 mijë dollarësh për të fituar heshtjen e aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels.

“Në thelb, çështja është për mashtrim. Pretendimi është se Donald Trump-i pagoi dikë për të fshehur informacionin përpara zgjedhjeve. Duke vepruar kështu, ai arriti të përmirësojë shanset e tij në zgjedhje dhe arriti t’i fitojë ato. Sipas ligjeve të Nju Jorkut, shkelja ka të bëjë me mënyrën mashtruese se si është bërë pagesa. Ekzistojnë të dhëna të biznesit për hyrje-dalje të parave dhe çështja do të përqëndrohet tek falsifikimi i këtyre të dhënave të biznesit”, thotë profesori Thomas.

Kjo shumë iu pagua zonjës Daniels nëpërmjet ish avokatit të zotit Trump, Michael Cohen, përpara zgjedhjeve të vitit 2016. Zonja Daniels thotë se ka patur një marrëdhënie seksuale me zotin Trump rreth një dekadë më parë, aludim që është hedhur poshtë nga ish presidenti. Sipas profesorit Thomas, ky proces gjyqësor i ka të gjitha shanset të përfundojë përpara mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në nëntor.

“Vazhdoj të jem i mendimit se çështja gjyqësore e Nju Jorkut ka gjasa të përfundojë përpara zgjedhjeve, të paktën faza fillestare e gjyqit”, thotë profesori Thomas.

Kjo çështje është vetëm një ndër betejat ligjore me të cilat përballet ish presidenti Donald Trump, ndërsa kandidon përballë presidentit Joe Biden për zgjedhjet presidenciale të këtij viti.