Netanyahu anulon vizitën e delegacionit izraelit në SHBA në shenjë proteste

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu/AP

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ka anuluar vizitën e planifikuar të delegacionit të nivelit të lartë në Uashington pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të mos i vënë veton të hënën një propozimi të Këshillit të Sigurimit që bën thirrje për armëpushim në Gazë.

Sipas deklaratës së lëshuar nga zyra e tij, zoti Netanyahu tha se dështimi i Uashingtonit për të bllokuar propozimin ishte “një tërheqje e qartë” nga qëndrimi i mëparshëm dhe do të dëmtonte përpjekjet kundër Hamasit dhe ato për lirimin e mbi 130 pengjeve që po mbahen në Gazë.

“Duke marrë parasysh ndryshimin e qëndrimit amerikan, Kryeministri Netanyahu vendosi që delegacioni të mos udhëtojë,” njoftoi zyra e tij.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi kërkesën për një armëpushim të menjëhershëm ndërmjet Izraelit dhe grupit islamik palestinez Hamas dhe lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjitha pengjeve. Shtetet e Bashkuara abstenuan.

Shtëpia e Bardhë mohoi se abstenimi amerikan nënkupton ndryshim në politikën amerikane.

Delegacioni i lartë kishte planifikuar të udhëtonte për në Uashington për të diskutuar rreth operacionit ushtarak izraelit në qytetin e Rafahut, në jug të Rripit të Gazës, ku po strehohen mbi një milionë palestinezë.

Vendimi i zotit Netanyahu erdhi ndërkohë që zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare John Kirby po u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve për këtë çështje.

Zëdhënësi Kirby shprehu keqardhje për vendimin, por shtoi se Shtetet e Bashkuara do t’i shprehin shqetësimet e tyre rreth politikave të Izraelit në kuadër të bisedimeve ndërmjet dy qeverive.

“Është dëshpëruese. Jemi shumë të dëshpëruar që nuk do të vinë në Uashington për të na mundësuar një bisedë të përgjithshme me ta lidhur me mënyra të tjera për të vepruar në Rafah.”

“Asgjë nuk ka ndryshuar rreth pikëpamjes tonë se një ofensivë e madhe tokësore në Rafah do të ishte një gabim i madh,” deklaroi zëdhënësi Kirby.

Ai tha se në takimet ndërmjet Ministrit izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant, i cili ndodhet tashmë në Uashington me Këshilltarin për Siguri Kombëtare Jake Sullivan, Sekretarin e Shtetit Antony Blinken dhe zyrtarë të tjerë, do të diskutoheshin të njëjta çështje që ekipi amerikan kishte në plan t’i diskutonte me delegacionin izraelit.

Në Izrael, udhëheqësi opozitar Yair Lapid akuzoi Kryeministrin Netanyahu se po mundohet të shpërqendrojë vëmendjen nga përçarja e koalicionit të tij për shkak të ligjit për mobilizimin ushtarak në dëm të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.

“Është një mungesë tronditëse përgjegjësie e kryeministrit, i cili ka humbur rrugën,” shkroi zoti Lapid në platformën sociale X.