Pjesa më e madhe e zonave të banuara në Shqipëri vazhdojnë të ruajnë dëshmi të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe historike, që vitet e fundit janë bërë pjesë e rëndësishme e turizmit kulturor. Por, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo, në një qytet si Shkodra, një pjesë prej tyre janë shkatërruar ndër vite, ose vazhdojnë të dëmtohen për shkak të mungesës së interesimit nga stukturat përgjegjëse dhe problemeve të pronësisë.
Your browser doesn’t support HTML5
E ndodhur në qendër të qytetit të Shkodrës, Kulla e Inglizit, “Monument kulture” i kategorisë së parë, paraqet një nga vlerat e rralla të trashëgimisë kulturore, pjesë e identitetit kulturor dhe historik të një qyteti si Shkodra.
Gjatë viteve të diktaturës u shndërrua në Muzeun Historik të Shkodrës ndërsa, pas vitit 1991, iu kthye pronarëve të ligjshëm duke ruajtur statusin e Monumentit të Kulturës.
Dy nga 28 bashkëpronarët, Adnan Ulqinaku dhe Abdullah Çoba, tregojnë se si përgjatë 30 viteve të fundit ky monument i rëndësishëm i kulturës vazhdoi të dëmtohet para syve të institucioneve përgjegjëse.
Adnani thotë se nuk pati ndërhyrje nga shteti dhe degradoi deri në këtë masë.
“Ishte viti 1997, më vonë 2013. Pra, ka pasur disa stade të dëmtimeve në masë të objektit. Sot ka mbërritë në këtë gjendje që po e shikoni. Këto janë shqetësimet, por shqetësime që nuk po gjejnë ilaçe. Se të kishte ndonjë ilaç, të kishte ndërhyrje nga organet kompetente, diçka do të bëhej”, thotë ai.
Duke pasur statusin “Monument Kulture”, thotë bashkëpronari tjetër Abdullah Çoba, nuk lejohen të ndërhyjnë në mirëmbajtjen dhe restaurimin. Ndaj, përgjatë viteve, i kanë drejtuar kërkesa të vazhdueshme institucioneve për shpëtimin e Kullës së Inglizit, por asgjë nuk ka ndryshuar.
“Indiferenca e pushtetarëve, si lokal ashtu edhe qendror. Ata vijnë herë pas here. Bëjnë investigimin mbi gjendjen e objektit, shikojnë cilat janë problemet, por mbetet aty dhe asgjë më tepër”, thotë ai.
Pas vitit 1991 u shkatërruan përfundimisht Shtëpia Muze e Luigj Gurakuqit dhe, po ashtu, edhe shtëpia e poetit Filip Shiroka. Ndërsa Shtëpia Muze e Migjenit u mbyll dhe ndërtesa i kaloi një komuniteti fetar. Një tjetër Monument Kulture, shtëpia e kryetarit të Lidhjes së Prizrenit, dega Shkodër, Daut Boriçit, pësoi dëmtime serioze derisa humbi statusin e Monumentit të Kulturës. Shkatërrimit nuk i ka shpëtuar as Kafja e Madhe, një tjetër dëshmi e identitetit të Shkodrës, ndërsa shtëpia e Pashko Vasës, tashmë mjaft e dëmtuar, është lënë në harresë. Në pllakën ku shkruhet
“ Banesa e Pashko Vasës Monument Kulture”, pronarja Rajmonda Vasa ka shtuar “Nuk Mbrohet nga shteti”.
“Gjendja është katastrofë dhe kanë hequr dorë të gjithë. Kanë dhënë fonde përpara, por më shumë kanë vjedhur dhe unë nuk kam mundur që të ndaloj hajdutin shtet që vodhi në shtëpinë e Pashko Vasës. Kjo është kryesorja. Dhe më është lodhur shpirti dhe nuk kam forcë më. Le ta lënë të degradojë”.
Studiuesi Zamir Tafilica duke treguar se si po rrënohet shtëpia Monument Kulture e Hodo Sokolit, komandant i trupave të Lidhjes së Prizrenit, dega e Shkodrës, dhe e trashëgimtarit tjetër, muzikologut Ramadan Sokoli, thotë se indiferenca e institucioneve po shoqërohet me degradimin e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe historike të këtij qyteti.
“Në fillim të viteve ’90, kur ne pritnim një vëmendje të shtuar për këto ndërtime, jo vetëm për shtëpitë, por për të gjithë monumentet kulturore të qytetit të Shkodrës, përkundrazi pati një shkatërrim total të tyre. Një bastisje gati e plotë e tyre. Nuk funksionoshin as në aspektin ligjor, as institucionet. Kështu që degraduan njëra pas tjetrës shumë ndërtesa që kishin vlera të mëdha jo vetëm monumentale, por edhe historike”, thotë ai.
Megjithatë, sipas drejtoreshës së Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, Besara Podgorica, pjesa më e madhe e këtyre objekteve vazhdojnë të jenë në listën e Monumenteve të Kulturës.
“Duke qenë se shumë objekte nuk ekzistojnë më, siç është shtëpia e Luigj Gurakuqit por që ende mban statusin e Monumentit të Kulturës, ende nuk ka një vendimmarrje nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore për heqjen e statusit të këtyre objekteve”, thotë ajo.
Periudha e tranzicionit ishte me mjaft sfida edhe për strukturat që merren me evidentimin dhe ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore, sfida këto që, sipas Besara Podgoricës, lidhen kryesisht me problemet e pronësisë.
“Sfidat kryesore janë mungesa e statuseve juridike të pronave. Po kështu, në banesat që kanë më shumë se një pronar është shumë e vështirë lidhja e një marrëveshje dakortësie mes tyre në mënyrë që t’i jepet drita jeshile apo t’i hapet rruga investimeve të shtetit”.
Për vitin 2024 Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër pritet të ndërhyjë në 8 objekte; në Kukës, Lezhë dhe Shkodër, ku bie në sy edhe ndërhyrja në banesën e Pashko Vasës dhe atë të Filip Çekës.