Rusia uli të dielën flamujt në gjysmështizë në një ditë zie për dhjetëra personat që u vranë me armë automatike gjatë një koncerti rock pranë Moskës në sulmin më vdekjeprurës brenda Rusisë prej dy dekadash.
Presidenti Vladimir Putin shpalli një ditë zie kombëtare dhe u zotua të gjejë dhe ndëshkojë të gjithë ata që qëndrojnë pas sulmit, në të cilin u vranë 137 persona, përfshirë tre fëmijë dhe më shumë se 150 vetë u plagosën.
"U shpreh ngushëllimet e mia të thella dhe të sinqerta të gjithëve atyre që humbën të dashurit e tyre," tha presidenti Putin në një fjalim drejtuar kombit të shtunën, komentet e tij të para publike për sulmin.
"I gjithë vendi dhe i gjithë populli ynë ndjen dhimbje krah jush", tha ai.
Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin e së premtes, por presidenti rus nuk e ka përmendur publikisht grupin militant islamik në lidhje me autorët e sulmit, të cilët ai tha se ishin përpjekur të arratiseshin në Ukrainë.
Ai pretendoi se persona nga "pala ukrainase" ishin përgatitur për t'i ndihmuar ata të iknin përmes kufirit. Ukraina ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo rol në sulm, për të cilin zoti Putin fajësoi gjithashtu "terrorizmin ndërkombëtar".
Njerëzit vendosën lule në sallën e koncerteve pranë Moskës, ku katër burra të armatosur hynë të premten dhe qëlluan me breshëri ndaj civilëve të tmerruar.
Ishte sulmi më vdekjeprurës në territorin rus që nga rrethimi i një shkollë në Beslan në vitin 2004, kur militantët islamikë morën peng më shumë se 1000 vetë, përfshirë qindra fëmijë.
Vendet në mbarë botën kanë dërguar ngushëllime për popullin rus.
Presidenti Putin tha se 11 persona janë arrestuar, përfshirë katër persona të armatosur, të cilët u larguan nga salla e koncerteve dhe u nisën për në rajonin Bryansk, rreth 340 km në jugperëndim të Moskës.
Të dyshuarit janë dërguar në Moskë dhe sipas mediave lokale mund të paraqiten në gjykatë më vonë gjatë ditës.