Dhuna e bandave në Haiti, gati gjysma e papullsisë përballet me mungesa ushqimore

Pothuajse gjysma e popullsisë në Haiti po përballet me vështirësi për t’u ushqyer ndërsa lufta mes bandave po shtrihet në mbarë vendin, në disa rajone njerëzit janë në prag të përballjes me urinë, thanë të premten organizatat ndërkombëtare.

Inflacioni dhe të korrat e pakta kanë ndikuar që Haiti të përballet me situatën më të rëndë të sigurisë ushqimore, njoftuan organizatat.



"Rritja e urisë po nxit pasigurinë që po shkatërron vendin. Ne kemi nevojë për veprime urgjente tani, ndërhyrja me faza nuk është alternativë," tha Jean-Martin Bauer, drejtor i Programit Botëror të Ushqimit në Haiti.



Nisma për Klasifikimin e Sigurisë Ushqimore IPC, një organizatë që përdor të njëjtën shkallë vlerësimi si Kombet e Bashkura dhe qeveritë për të përcaktuar nivelin e urisë, tha në një raport se rreth 4.97 milionë vetë në popullsinë prej rreth 11.5 milionë banorësh po përballen me krizë ose nivelin më të rëndë të sigurisë ushqimore.



Tetë zona janë vlerësuar se ndodhen në gjendje emergjente, niveli më i rëndë para urisë, thuhet në raport.



Haiti është përfshirë nga dhuna, pasi grupet rivale kanë ndërmarrë një vale sulmesh këtë muaj, duke përfshirë ato ndaj stacioneve policore dhe aeroporteve ndërkombëtare.

Si pasojë e konfliktit janë vrarë mijëra persona ndërsa qindra mijëra të tjerë janë zhvendosur.



Udhëheqësit rajonalë po përpiqen të ngrejnë një këshill tranzitor presidencial. Kryeministri Ariel Henry ka premtuar se do të japë dorëheqjen menjëherë pas formimit të këshillit. Por aktualisht ai është i bllokuar jashtë vendit, pasi bëri një vizitë në Kenia për të diskutuar vendosjen e një misioni sigurie ndërkombëtare në Haiti. Për momentin çështja e këshillit ështe lëne pezull.