Platforma sociale e ish Presidentit Trump merr miratimin për të tregtuar aksionet e saj në bursë

Fotografi arkive e ish-Presidentit Trump/AP

Aksionarët e korporatës “Digital World” miratuan të premten marrëveshjen për shkrirjen e firmës së tyre me kompaninë mediatike të zotit Trump. Miratimi i kësaj marrëveshjeje i hap derën kompanisë “Trump Media & Technology Group”, që produkt kryesor ka platformën sociale “Truth Social”, të rikthehet në tregun e aksioneve Nasdaq.

Zoti Trump mund të fitojë një shumë të konsiderueshme si kompensim në këtë proces. Ai do të jetë pronari i shumicës së aksioneve të kompanisë së kombinuar, rreth 79 milionë aksione. Nëse këto aksione shumëzohet me çmimin aktual prej 42.81 dollarë për aksion, vlera e përgjithshme e pjesës së zotit Trump do të jetë më shumë se 3 miliardë dollarë. Aksionet ranë për 5 për qind pas njoftimit për arritjen e marrëveshjes.

Marrëveshja bëhet në një kohë kur zoti Trump po përballet me betejën më të kushtueshme ligjore deri më tani, gjobën prej 454 milionë dollarësh lidhur me mashtrimet për huamarrjen disa vite më parë.

Por pavarësisht miratimit të shkrirjes së kompanisë së tij me “Digital World”, zoti Trump nuk do të mund të përfitojë menjëherë nga shitja e aksioneve të tij, vetë në rastin nëse disa gjëra ndryshojnë, për shkak të kufizimeve në marrëveshjen e shitblerjes, të cilat i parandalojnë pjesëtarët e kompanisë që të shesin aksionet për një afat kohor prej gjashtë muajsh.

Përvoja e mëparshme e zotit Trump në bursë nuk kishte përfundim të mirë. Në vitin 1995, hotelet dhe kazinotë nën emrin Trump morën miratimin për t’u tregtuar në bursë me simbolin DJT – të njëjtin simbol që do të mbajë në bursë edhe kompania mediatike e zotit Trump.

Në vitin 2004, kompania ombrellë e kazinove të zoti Trump paraqiti dokumentet për mbrojtje nga falimentimi dhe është hequr nga bursa e Nju Jorkut.

Para votimit të së premtes, kompania “Digital World” paraqiti një listë rreziqesh me të cilat ballafaqohen investitorët e saj, sikurse edhe ata të platformës “Truth Social”, nëse kompania “Trump Media” merr miratimin zyrtar për të tregtuar aksionet e saj në bursë.

Njëri prej rreziqeve, sipas kompanisë, është se zoti Trump do të ketë të drejtë të votojë në favor të interesave të tij si aksionari kryesor – që mund të mos përputhet gjithnjë me interesat e aksionarëve të tjerë.

“Digital World” gjithashtu iu referua shkallës së lartë të dështimit të platformave të reja në rrjetet sociale, si dhe pritshmërisë së kompanisë “Trump Media” se do të ketë humbje financiare në veprimtarinë e saj “gjatë të ardhmes së afërt.”

Kompania “Trump Media” humbi 49 milionë dollarë në nëntë muajt e parë të vitit të kaluar dhe solli vetëm 3.4 milionë dollarë fitime dhe u detyrua të paguante 37.7 milionë dollarë kamatë.

Kompanitë “Trump Media” dhe “Digital World” fillimisht njoftuan për planet e bashkimit të tyre në tetor të vitit 2021. Kjo marrëveshje u përball me një hetim federal dhe një mori padish para votimit të së premtes.

Platforma sociale “Truth Social” filloi punën në shkurt të vitit 2022, një vit pasi zoti Trump ishte ndaluar nga platformat kryesore të rrjeteve sociale përfshirë rrjetet Facebook dhe Twitter, që tani njihet si X, pas trazirave të 6 janarit në Kapitol. Që nga kohë, atij i është mundësuar rikthimi në këto platforma, por ai ka vazhduar të postojë në “Truth Social” për t’u bërë bujë deklaratave të tij.

Ai promovoi platformën e tij të enjten me mbishkrimin: “Truth Social është zëri im dhe zëri i vërtetë i Amerikës! MAGA2024!!!”

Kompania “Trump Media” nuk e bën publike numrin e përdoruesve të kësaj platforme sociale. Por organizata hulumtuese “Similarweb” ka bërë një përllogaritje se rrjeti kishte rreth 5 milionë përdorues aktivë nga telefonat celularë dhe nga faqja e internetit në muajin shkurt. Kjo shifër është shumë më pak krahasuar me përdoruesit e TikTok-ut, që kanë arritur në 2 miliardë dhe të Facebook-ut në 3 miliardë. Megjithatë, shifra është më e lartë se rrjetet rivale si Parler, që ka një vit që nuk është aktive por që po planifikon të rikthehet, apo Gettr, që pati më pak se 2 milionë përdorues gjatë muajit shkurt.