Filmi “20 ditë në Mariupol” i gazetarit Mstyslav Chernov, i cili ka fituar çmimin Oscar si dokumentari më i mirë, u shfaq në Tiranë mbrëmjen e kaluar.
Ai tregon pasojat e sulmit rus mbi Mariupolin e rrethuar; fëmijë të vrarë, bombardimin e maternitetit dhe i banesave, si dhe varret masive.
Pamjet u regjistruan nga të vetmit gazetarë ndërkombëtarë të mbetur në qytet: një ekip ukrainas i agjencisë AP, pjesë e të cilit ishte edhe fotografi Evgeniy Maloletka.
Your browser doesn’t support HTML5
Filmi “20 ditë në Mariupol”, i prodhuar nga AP dhe PBS Frontline, tregon se si gazetari ukrainas Mstyslav Chernov dhe kolegët e tij rrezikuan jetët e tyre për të dokumentuar rrethimin e Mariupolit nga forcat ruse dhe mizoritë e tyre ndaj qytetarëve të pambrojtur.
Gazetarët ishin të rrezikuar nga bombardimet e avionëve dhe tankeve, si dhe nga ushtria ruse, që po i kërkonte ata, bazuar në një listë ku ishin edhe emrat e tyre, të inatosur pse dikush po raportonte nga brenda zonës, duke mbushur botën me pamjet e bombardimeve dhe vrasjeve të civilëve, ndërsa qyteti besohej se ishte zbrazur nga njerëzit e mediave.
Në shfaqjen e parë të filmit në Tiranë, në Qendrën për Hapje dhe Dialog, organizuar nga Fondacionet e Shoqërisë së Hapur të Ballkanit Perëndimor, ishte edhe fotografi Evgeniy Maloletka, njëri prej anëtarëve të atij ekipi.
Ai tregoi për Zërin e Amerikës disa nga vështirësitë e atyre 20 ditëve në Mariupolin e rrethuar.
“Tanket ruse dolën në qytet. Ishte hera e parë që u shfaq shenja Z mbi to, si një shenjë lufte. Ata hapën zjarr mbi pallatet e banuara, dhe një goditje, pastaj e dyta. Këtu shihet shpërthimi në katin e gjashtë të pallatit. Goditja e dytë vrau dy njerëz në ndërtesë dhe ne e provuam këtë bashkë me fqinjët dhe njerëz të tjerë, që nxorën trupat nga apartamentet”, thotë Evgeniy për Zërin e Amerikës.
Falë punës së këtij grupi gazetarësh të luftës, historia e Mariupolit është futur dhe vazhdon të përmendet në shumë ekspozita, në libra dhe në filma.
Evgeniy ka lindur në Berdiansk afër Mariupolit, prej nga familjarët e tij janë larguar tashmë si refugjatë, gjë që ia lehtësoi disi punën.
Ai thotë se nuk ishte e lehtë të gjendeshe atje nën bomba, por përvoja nga pasqyrimi i luftërave të mëparshme e ndihmoi si të vepronte në terren.
“Ne pasqyrojmë luftërat qysh nga viti 2014. Deri atëherë ne nuk ishim korrespondentë lufte, por fotografë shtypi dhe gazetarë. Por kur Rusia pushtoi Krimenë dhe pastaj pushtoi Donbasin, të gjithë ne u përfshimë si automatikisht në pasqyrimin e procesit të luftës. Kështu u bëmë gazetarë lufte, fotografë lufte në terren. Në këto luftëra kemi humbur edhe shumë kolegë. Por për ne është detyra më e rëndësishme që të tregojmë të vërtetën, me fakte, të shmangim propagandën dhe lajmet e rreme”, thotë Evgeniy për Zërin e Amerikës.
Ky grup gazetarësh përjetuan bashkë me qytetarët bombardimet nëpër shtëpi, bodrume dhe spitale, ndërsa filmonin vazhdimisht të plagosurit, të vrarët, maternitetin që bombardohej dhe mjekët që ndihmonin në çdo drejtim, ndërsa në qytet u ndërprenë qëllimisht uji, ushqimi, interneti, për të mos lejuar raportimet e gazetarëve dhe komunikimin mes njerëzve.
Filmi është nderuar këtë vit me çmimin e Akademisë OSCAR si dokumentari më i mirë, ndërsa ka fituar edhe çmime të tjera në të paktën 7 festivale ndërkombëtare.
“Të gjithë këto çmime ndihmojnë për t’u treguar njerëzve se duhet të bëjnë drejtësi për njerëzit që u vranë, dhe se zërat e njerëzve që kanë mbijetuar duhen dëgjuar në gjithë botën. Sa më shumë njerëz duhet të shohin dhe të kuptojnë se çfarë ndodhi në Mariupol në atë kohë”, thotë Evgeniy.
Ukraina po i reziston Rusisë, duke bërë luftën e saj të mbijetesës. Lufta është e vështirë edhe kur shikohet në lajme nga njerëzit, thotë fotografi i luftës, por pakrahasimisht tejet e vështirë është atje në Ukrainë kur njerëzit humbin shokët, familjarët, dhe kur duhet të qëndrosh çdo ditë përballë sulmit rus.