Projekt-rezoluta e SHBA-së për Gazën dështon për shkak të vetos së Rusisë, Kinës 

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk arriti të miratojë të premten një projekt-rezolutë të paraqitur nga Shtetet e Bashkuara që bënte thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gaza, për shkak të vetos nga Rusia dhe Kina.

Projekt-rezoluta bënte thirrje për një "armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm" që do të zgjaste rreth gjashtë javë, parashikonte lirimin e pengjeve në këmbim të palestinezëve të burgosur, mbrojtjen e civilëve dhe hyrjen e ndihmës humanitare.

"Shumica dërrmuese e Këshillit votoi në favor të kësaj rezolute, por për fat të keq Rusia dhe Kina vendosën veton", i tha Këshillit të Sigurimit ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield.

Ajo tha përpara votimit, se do të ishte një "gabim historik" që Këshilli të mos e miratonte rezolutën.

Ambasadori i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, duke folur po ashtu para votimit, u bëri thirrje anëtarëve të Këshillit të mos votonin në favor të rezolutës.

Ai tha se rezoluta ishte "tepër e politizuar" dhe në thelb ishte një dritë e gjelbër për Izraelin që të ndërmerrte një operacion ushtarak në Rafah në skajin jugor të Rripit të Gazës, ku strehohet më shumë se gjysma e 2.3 milionë banorëve të territorit.

"Kjo do t’i jepte dorë të lirë Izraelit dhe do të sillte si rezultat që e gjithë Gaza dhe e gjithë popullsia e saj të përballeshin me shkatërrim, ose dëbim”, tha ai.

Ambasadori rus tha se një numër anëtarësh jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit kanë hartuar një rezolutë alternative, të cilën ai e quajti një dokument të balancuar dhe tha se nuk ka asnjë arsye që anëtarët të mos e mbështesin atë.