Qeveria e Kosovës urdhëron zbatimin e vendimit për pronat e Manastirit të Deçanit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se qeveria e tij i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për pronat e Manastirit të Deçanit, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë mospajtimesh me diplomacinë perëndimore rreth kësaj çështjeje.

Your browser doesn’t support HTML5

Qeveria e Kosovës urdhëron zbatimin e vendimit për pronat e Manastirit të Deçanit

Zbatimi i vendimit me të cilin manastirit mesjetar, i njihet e drejta e pronës në mbi rreth 24 hektarë tokë, lidhet drejtpërdrejt me kërkesën e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Andaj sot i kemi thënë Agjencisë Kadastrale të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kurse ministrja e punëve të Jashtme Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese për këtë çështje Këshillit të Evropës. Me 22 mars është mbledhja e jashtëzakonshme e Komitetit atje, nga mesi i prillit është Asambleja e Këshillit të Evropës dhe në fund të majit është Këshilli i Ministrave në Këshillin e Evropës, që vendos për anëtarësimin tonë”, tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë së tij të mërkurën.

Kryeministri Kurti e cilësoi edhe të mërkurën “të çuditshëm” dhe “të padrejtë” vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në anën tjetër nuk ka dyshim që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte vetëm fitore historike por edhe një hap gjigant për Republikën tonë drejt njohjes së pesëshes evropiane që mundëson anëtarësimin në NATO dhe BE për Kosovën e pavarur”, tha ai.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese kishte nxitur reagime në Kosovë dhe komuna e Deçanit, ka ritheksuar në shumë raste se këto prona janë të dy ndërmarrjeve publike dhe se vendimi ka fuqizuar një marrëveshje të vitit 1997, kur administrata serbe i kishte kaluar në pronësi të manastirit ato toka.

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha sot se komuna e tij vazhdimisht është goditur me vendime të padrejta përfshirë atë të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016.

Kundër vendimit të qeverisë për njohjen e pronës së Manastirit të Deçanit janë shprehur edhe anëtarët e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, kryetari i së cilës, Shkodran Imeraj tha se sot është një ditë zie për vendin dhe sulmi më i madh që i është bërë rendit juridik e Kushtetues vendit.

“Jemi të befasuar me qëndrimin e kryeministrit (Albin) Kurti i cili i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale që të zbatojë vendimin e kushtetueses për pronat në Deçan dhe duke i dhuruar 24 hektarë prona Manastirit të Deçanit me vendimet e kohës së (Slobodan) Millosheviçit, si dhe me qëndrimin e kryediplomatës (Donika) Gërvalla e cila mezi kishte pritur që të njoftonte Asamblenë e Këshillit të Evropës se Kosova sot i zbatoi vendimet e Millosheviçit”, tha zoti Imeraj.

Nuk pati një reagim të menjëhershëm të Manastirit të Deçanit, por vendimi u mirëprit nga diplomatët perëndimorë.

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Tomas Szunyog tha se kjo është një ditë e mirë për sundimin e ligjit Ai shkroi në rrjetet sociale se “ruajtja e sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë parakushte të nevojshme për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe vendimi i sotëm është një hap i mirëpritur”.

Vendimin e qeverisë e mirëpritën edhe ambasadorë të vendeve evropiane si dhe drejtues të misionit të EULEX-it dhe të misionit në Kosovë të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë duke vënë theksin te zbatimi i ligjit në Kosovë.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e mbështeti vendimin e qeverisë së Kosovës duke theksuar se “më mirë vonë se kurrë”. Ai u bëri thirrje udhëheqësve të Kosovës përmes një reagimi në rrjetet sociale “që të vazhdojnë të punojnë me aleatët e përbashkët kyç për të demonstruar se Republika e Kosovës është me të vërtetë një partner i rritur i besueshëm i Komunitetit Euro-Atlantik”.