Netanyahu: Do të vazhdojmë ofensivën ushtarake në Rafah

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të martën se Izraeli do të vazhdojë ofensivën ushtarake në Rafah, në pjesën jugore të Rripit të Gazës, megjithë trysninë ndërkombëtare.

Zërat që po i kërkojnë Izraelit të mos futet në Rafah janë shtuar. Rafah është një nga vendet e fundit në Rripin e Gazës që kanë mbetur relativisht të sigurta dhe ku kanë gjetur strehim 1.5 milionë njerëz.

“Do ta realizojmë synimin në Rafah, duke shmangur njëkohësisht dëmet mes popullatës civile”, deklaroi zoti Netanyahu në një fjalim të mbajtur me video në konferencën e organizatës pro-izraelite AIPAC në Uashington.

Ndërkohë, Këshilltari për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Jake Sullivan deklaroi të martën se Presidenti Joe Biden nuk do të përkrahë një operacion ushtarak izraelit në Rafah, nëse nuk mbrohen civilët.

Ai tha se Shtëpia e Bardhë nuk ka parë ende një plan të tillë të besueshëm.

Sipas zotit Sullivan, Presidenti Biden beson se rruga drejt paqes dhe stabilitetit në rajon “nuk sigurohet duke vënë në shënjestër Rafahun, ku janë 1.3 milion njerëz, në mungesë të një plani të besueshëm për popullatën atje.”

Zoti Netanyahu i bëri këto komente ndërkohë që udhëheqësit e Bashkimit Evropian po planifikojnë të nxisin Izraelin të mos fillojë operacionin tokësor ushtarak në Rafah, sipas një dokumenti paraprak në prag të një takimi të bllokut.

“Këshilli Evropian nxit qeverinë izraelite të mos ndërmarrë operacionin tokësor në Rafah, ku mbi një milion palestinezë aktualisht po kërkojnë strehim nga luftimet dhe qasje në ndihmë humanitare,” sipas projekt-dokumentit të parë nga agjencia e lajmeve Reuters.

Ky dokument duhet të miratohet nga udhëheqësit e 27 vendeve anëtare të BE-së gjatë takimit të 21 dhe 22 marsit.