Palestinezët po përgatiten për muajin e shenjtë të Ramazanit mes luftës në Gazë, ndërsa bisedimet për të siguruar një armëpushim nuk patën sukses. Policia izraelite tha se po punonte për të siguruar një muaj paqësor për Ramazanin, muji i agjërimit që filloin nesër në Gazë dhe se kishte marrë masa shtesë ndaj atyre që nxisin dhunë në mediat sociale.
Your browser doesn’t support HTML5
Palestinezët po përgatiten për muajin e shenjtë të Ramazanit mes luftës në Gazë dhe masave të shtuara të sigurisë nga policia izraelite, ndërsa bisedimet për arritjen e një armëpushim deri më tani nuk janë sjellë rezultat.
Mijëra policë janë vendosur nëpër rrugët e ngushta të qytetit të vjetër në Jeruzalem, ku dhjetëra mijëra besimtarë pritet të shkojnë për lutje çdo ditë në xhaminë Al Aksa, një nga objektet më të shenjta të fesë islame.
Zona, e konsideruar si vendi më i shenjtë nga hebrenjtë që e njohin atë si Mali i Tempullit, ka qenë një vend ku patur përplasje mes palestinezëve dhe izraelitëve.
“U bëjmë thirrje atyre që do të vijnë në xhaminë e bekuar Al-Aksa, përfshirë banorëve të Bregut Perëndimor dhe madje edhe banorëve të Jeruzalemit, që me qetësi dhe në mënyrë paqësore të falin namazin. Të gjithë duhet t’u përmbahen udhëzimeve me qetësi dhe durim. Kjo është xhamia jonë dhe ne duhet të kujdesemi për të. Ne duhet të mbrojmë praninë e muslimanëve në këtë xhami, të cilët duhet të jenë në gjendje të hyjnë në numër të madh në mënyrë paqësore dhe të sigurt”, thotë Azzam El-Khatib, Drejtor i fondacionit “Jerusalem Waqf”.
Por ndryshe nga vitet e mëparshme, dekorimet e zakonshme rreth qytetit të vjetër nuk janë vendosur. Po ashtu edhe në qytetet e tjera në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, ku rreth 400 palestinezë janë vrarë në përleshjet me forcat izraelite, ose kolonët hebrenj që nga fillimi i luftës në Gazë.
“Ramazani këtë vit i gjen palestinezët në një situatë tragjike, me masakra, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid ndaj tyre, kështu që në komunën e Hebronit vendosëm ta shënojmë Ramazanin vetëm me rituale fetare dhe të ndalojmë të gjitha festimet dhe dekorimet e rrugëve”, thotë Tayseer Edu Sneineh, kryetar i Komunës Hebron.
Policia tha se po punonte për të siguruar një muaj paqësor për Ramazanin dhe kishte marrë masa shtesë ndaj atyre që nxisin dhunë në mediat sociale.
“Policia e Izraelit do të vazhdojë të veprojë dhe të lejojë kryerjen e lutjeve të Ramazanit në mënyrë të sigurt në Malin e Tempullit, duke ruajtur sigurinë në zonë”, theksohet në një deklaratë.
Për pjesën tjetër të botës myslimane, policia e Izraelit në Al Aksa për një kohë të gjatë ka qenë ndër çështjet më të debatueshme dhe udhëheqësi i Hamasit u bëri thirrje palestinezëve që të marshojnë drejt xhamisë në fillim të Ramazanit, që në këtë rajon fillon nesër.
“Unë shes stolitë gjatë muajit të Ramazanit dhe sendet shtëpiake që njerëzit i blejnë më së shumti gjatë dhe para këtij muaji. Siç i shikoni raftet janë plot se nuk ka shitje, për shkak të situatës me të cilën po përballemi”, thotë pronari i një dyqani.
“Ne shpresojmë që autoritetet izraelite të lejojnë njerëzit të hyjnë nga Bregu Perëndimor për Ramazan, pasi ky është një muaj i shenjtë dhe njerëzit vizitojnë Jeruzalemin për t'u lutur në xhaminë Al-Aksa”, thotë një shitës ambulant.
Shpresat për një armëpushim, i cili do të kishte lejuar që Ramazani të kalonte paqësisht dhe do të mundësonte lirimin e 134 pengjeve izraelitë të mbajtur në Gaza duket se janë venitur, ndërsa bisedimet në Kajro kanë ngecur. Megjithatë ka dhe nga ata që presin, pasi ka pak alternativa të tjera veç shpresës për paqe.