Ligjvënësit amerikanë të ndarë për Ukrainën dhe Izraelin

Në fjalimin e tij për gjendjen e vendit, Presidenti amerikan Joe Biden kërkoi miratimin nga Senati të paketës së ndihmave prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, vendet e rajonit Indo-Paqësor, Izraelin dhe operacionet humanitare në Gazë. Projektligji përballet me kundërshti në Dhomën e Përfaqësuesve me shumicë republikane. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, pyeti ligjvënësit nëse ndryshuan mendje pasi dëgjuan fjalimin e Presidentit.

Your browser doesn’t support HTML5

Ligjvënësit amerikanë të ndarë për Ukrainën dhe Izraelin

Ndihma për Ukrainën ishte në qendër të fjalimit të këtij viti të Presidentit Biden mbi gjendjen e vendit.

“Ukraina mund ta ndalë Putinin, nëse e përkrahim dhe i japim armët që i nevojiten për t’u mbrojtur”, deklaroi Presidenti Biden.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson ka refuzuar të përfshijë në kalendarin për votim projektligjin e ndihmave prej 95 miliardë dollarësh të miratuar nga Senati, duke zhgënjyer kështu ligjvënësit demokratë.

“Nëse futet financimi për Ukrainën në programin e punës së Dhomës së Përfaqësuesve, atëherë do të miratohet me shumicë dërrmuese”, thotë ligjvënësi demokrat Don Beyer.

Ndihmat për Ukrainën mbështeten edhe nga shumë ligjvënës republikanë.

“Mendoj se ka një objektiv moral. Mendoj se ka një arsye strategjike për ta bërë këtë. Kemi një botë që duket shumë si ajo e vitit 1938, me diktatorë të veckël që janë tërësisht të interesuar për gjenocidin që shkaktoi Luftën e Dytë Botërore”, thotë ligjvënësi republikan Jake Ellzey.

Por, ligjvënës të tjerë republikanë thonë se do të dërgojnë ndihma të mëtejshme për Ukrainën vetëm nëse jepen më shumë fonde edhe për forcimin e sigurisë në kufirin SHBA – Meksikë.

“Flasim për kufijtë e Ukrainës – po për kufijtë tanë? Do të thoja për shembull se si kompromis, mund të japim nga një dollar për kufirin tonë jugor, për çdo dollar që japim për Ukrainën”, thotë ligjvënësi republikan Doug LaMalfa.

Senatorët republikanë refuzuan më herët këtë vit një marrëveshje dypartiake me mbi 20 miliardë dollarë për sigurinë kufitare. Ligjvënësit republikanë thonë se do të dërgojnë ndihma të reja për Ukrainën, vetëm në rast se rritet buxheti për masat e sigurisë në kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën.

Gjatë fjalimit të tij të enjten, Presidenti Biden njoftoi përpjekje të reja për të dërguar ndihma për civilët në Gazë.

“Një port i përkohshëm do të mundësojë rritje masive të ndihmave që do të hyjnë në Gazë çdo ditë”, tha presidenti Biden.

Por, disa ligjvënës republikanë i thanë Zërit të Amerikës se ndihmat për civilët palestinezë nuk do të mjaftojnë për ta zgjidhur konfliktin.

“Hamasi është forcë e së keqes. A e dëshiroj unë një armëpushim? Po, e dua një armëpushim, sapo të jetë fshirë Hamasi nga kjo tokë”, thotë ligjvënësi republikan Buddy Carter.

Republikanët kritikojnë edhe propozimin e Presidentit Biden për një zgjidhje me dy shtete.

“Për sa kohë që Hamasit i lejohet të veprojë në periferi të Izraelit, do të vazhdojmë ta kemi këtë problem. Dhe ndërkohë amerikanët i japin ndihma Gazës. Po Irani ku është? Ku janë ndihmat iraniane për Gazën?”, thotë ligjvënësi republikan Scott Perry.

Demokratët vlerësojnë lart përpjekjet e Presidentit për të mbështetur Izraelin, si dhe për të trajtuar njëkohësisht edhe krizën humanitare në Gazë.

“Jam i kënaqur që Presidenti urdhëroi dërgimin e ndihmave dhe ushqimeve nga ajri, si dhe ngritjen e një porti”, tha ligjvënësi demokrat Joaquin Castro.

Javën e ardhshme, në Dhomën e Përfaqësuesve, një votim për procedurë pritet të bëhet duke tentuar futjen në programin e punës të propozimit për ndihmat.

Ndërkohë, Senati miratoi të premten një buxhet të minutës së fundit për të shmangur mbylljen e përkoshme të qeverisë federale.