KQZ: Me 21 prill votohet për largimin e katër kryetarëve të komunave në veri të Kosovës

  • Leonat Shehu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të premten që me 21 prill të mbahen votimet për largimin nga detyra të kryetarëve shqiptarë në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Your browser doesn’t support HTML5

KQZ: Me 21 prill votohet për largimin e katër kryetarëve të komunave në veri të Kosovës

Vendimi pasoi verifikimin e listave të nënshkrimeve që janë mbledhur për një peticioni gjatë muajit janar në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç. Për t’u konsideruar i suksesshëm peticioni duhej të nënshkruhej nga 20 për qind e votuesve me të drejtë vote në secilën komunë.

“Duke marrë parasysh kohën e nevojshme për përgatitjen procedurale dhe organizimin në aspektin teknik të këtij procesi, Sekretariati i Komisionit Qendror të zgjedhjeve konsideron se koha më e përshtatshme për organizimin e procesit të votimit mund të jetë data 21 prill e vitit 2024”, tha drejtori i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Burim Ahmetaj.

Lexoni edhe këtë Fillon mbledhja e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviçit

Për të larguar kryetarin e një komune duhet të votojnë 50 për qind plus një e votuesve me të drejtë vote. Nëse dështon, një peticion tjeterë nuk mund të organizohet përpara se të kenë kaluar 12 muaj.

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Tomas Szunyog tha se e vlerëson vendimin për të caktuar datën e votimit për shkarkimin e kryetarëve. Ai shkroi në rrjetet sociale se “tashmë është thelbësore që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të bëjë përgatitjet e nevojshme për të siguruar një proces të qetë dhe për të krijuar kushte për votim të lirë dhe të ndershëm”.

Aktualisht Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Leposaviçi dhe Zveçani, udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të vitit të kaluar, të cilat u bojkotuan nga partitë politike serbe.

Dërgimi i kryetarëve në zyrat e tyre në fund të muajit maj të vitit të kaluar u kundërshtua ashpër nga grupe qytetarësh serbë të cilët u përplasen me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s.

Digjet prona e nënkryetares së komunës së Zveçanit

Policia e Kosovës the të premten se gjatë natës është djegur një dyqan në komunën e Zveçanit, pronë e nënkryetares së kësaj komune Natasha Tomaniç. Policia tha se është duke kryer hetime duke e cilësuar veprën si “zjarrvënie të qëllimshme”.

Sulmi u dënua nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili e quajti akt kriminal, terrorist e qyqar. Ai shkroi në rrjetet sociale se “pikërisht me 8 Mars, elemente kriminale në Zveçan zgjodhën e rizgjodhën dhunën, terrorin dhe sulmin, kësaj radhe ndaj pronës private, dyqanit të nënkryetares së komunës së Zveçanit, znj. Natasha Tomaniç, ndërsa nënvizoi se përgjigjja ndaj akteve të tilla dhe personave përgjegjës, është sundimi i ligjit dhe shteti i së drejtës.

Ai u bëri thirrje diplomatëve perëndimorë të dënojnë incidentin.

Qeveria e Kosovës e cila u përball me masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian për shkak të tensioneve në veri, u pajtua të organizojë zgjedhje të reja si pjesë e përpjekjeve për shtensionimin e situatës me Serbinë e cila u përkeqësua pas sulmit të 24 shtatorit të një grupi serbësh të armatosur ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit, ku mbeti i vrarë oficeri i policisë Afrim Bunjaku.