Gazetarit afgan Sadiq Torabzai, iu desh të përshkonte 10 vende për t'i shpëtuar sundimit taleban. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ahmad Farshad Saleh, gazetari afgan tani gjendet në Kanada në pritje për t’u bashkuar me fëmijët e tij.
Your browser doesn’t support HTML5
Për gazetarin afgan Sadiq Torabzai, i lindur në pjesën lindore të Afganistanit, i ftohti i dimrit kanadez është diçka e panjohur.
Por pasi ka përshkuar mbi 10 vende gjatë dy muajve, ai ka ende në mendje kujtimet e udhëtimit të vështirë.
“Nuk ishte aq e lehtë. Flinim rrugëve, pa ushqimin e duhur. Disa ditë nuk kemi ngrënë për 24 orë. Nuk e kishim menduar kurrë se kjo do të ndodhte me ne”, thotë Sadiq Torabzai, gazetar afgan në mërgim.
Për gazetarin dhe babanë e pesë fëmijëve, shpresa për një jetë më të mirë, larg sundimit taleban, e nxiti atë të marrë këtë rrugë.
Ai e kishte të pamundur të vazhdonte të punonte i lirë për mediat në Afganistan, ku dikur drejtonte një emision politik.
“Nuk mund të jetonim më atje sepse humbëm mundësitë. Nuk ishim në gjendje t'i ushqenim fëmijët”, thotë gazetari Torabzai.
Duke lënë familjen e tij pas, zoti Torabzai u largua nga Afganistani në vitin 2022, duke kërkuar strehim në vende dhe kontinente të ndryshme. Pati raste kur zoti Torabzai e vuri jetën në duart e trafikantëve.
Siç ndodhi në Guatemalë, ku ai dhe të tjerët u mbyllën për ditë të tëra në një dhomë.
“Dhoma ishte për katër persona, por ne ishim 15 persona. Pesëmbëdhjetë vetë në një dhomë. Brenda kishte një banjë pa derë, vetëm një perde plastike. Ishim ulur ose shtrirë në dysheme. Ishin dy netët më të këqija të jetës sime”, thotë më tej ai.
Pasi kaloi kufirin jugor të SHBA-së, zoti Torabzai qëndroi në Amerikë për disa ditë përpara se të nisej për në Toronto.
Kanadaja ofron përfitime që i shtyjnë shumë azilkërkues ta zgjedhin atë si vend për të nisur një jetë të re në vend të fqinjit të saj jugor, Shteteve të Bashkuara.
“Kanadaja është më tërheqëse për azilkërkuesit për shkak të procedurave të përshpejtuara të azilit. Faktorë të tjerë që ndikojnë në këtë drejtim është mundësia të sjellin anëtarët e familjes së tyre në Kanada dhe sigurimet shëndetësore”, thotë Waheed Jalalzada, konsulent i imigracionit.
Kërkesa për azil e zotit Torabzai u miratua brenda një viti. Tani, ai e siguron jetën si shofer.
“Kam kaluar ditë të vështira dhe poshtëruese që të paktën fëmijët e mi të kenë një të ardhme më të mirë”, thotë gazetari afgan, Torabzai.
Ndërsa ka lënë pas ditët më të vështira, zoti Torabzai pret me padurim ardhjen e tyre.