"Super e Marta", nata që në të kaluarën ka çimentuar shanset ose ka nxjerrë nga gara kandidatë për president, mbaroi. Votimet brenda partive në pesëmbëdhjetë shtete dhe një territor bëjnë të mundur që kandidatët për president të sigurojnë më shumë delegatë të partisë, sesa çdo mbrëmje tjetër gjatë vitit zgjedhor. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Ameirkës në Uashington, Carolyn Presutti, Presidenti aktual, demokrati Joe Biden dhe ish-Presidenti, republikani Donald Trump fituan pothuajse të gjitha garat e emërimit nga partitë e tyre në zgjedhjet paraprake në një grup shtetesh në gjithë vendin.
Your browser doesn’t support HTML5
Ishte nata më e rëndësishme e fushatës presidenciale dhe ish-Presidenti Donald Trump doli fitues në garën republikane.
“Do ta bëjmë Amerikën madhështore sërish, më madhështore se kurrë më parë. Faleminderit shumë. Ishte një natë e madhe”, tha ish-Presidenti, Donald Trump.
Të martën ish-presidenti fitoi të gjitha shtetet përveç njërit. Ish-ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley fitoi Vermontin të martën dhe kryeqytetin Uashington DC-në gjatë fundjavës.
Nga radhët e demokratëve, Presidenti Joe Biden ishte fitues në zgjedhjet paraprake të Super të Martës, me përjashtim të humbjes së territorit amerikan Samoas.
“Këto rezultate e vendosin popullin amerikan para një zgjedhjeje të qartë: A do të vazhdojmë t ëecim përpara apo do të lejojmë që Donald Trumpi të na kthejë pas në kaosin, ndasitë dhe errësirën?”,u shpreh zoti Biden në një deklaratë.
Nikki Haley priste të kishte mbështetje më të madhe, madje edhe nga demokratë që mund ta votonin atë për ta kundërshtuar rivalin republikan Trump. Por sigurimi i këtyre votave rezultoi i pamundur.
“Shqetësimi im kryesor në këto zgjedhje është mbrojtja e Amerikës siç e njoh unë dhe kjo mund të bëhet vetëm duke mos zgjedhur Donald Trumpin. Ky është qëllimi që duam të arrijmë, qoftë duke mbështetur Presidentin Biden ose duke votuar për një republikan më të moderuar”, thotë Shai Segal, mbështetës i Presidentit Biden.
Reg Mitchell nuk pajtohet.
“Donald Trump edhe katër vite të tjera, nëse mund ta arrijmë. Katër të parat shkuan mirë, me aq sa di”, thotë mbështetësi i ish-Presidentit Trump.
Votuesit e rinj janë të shqetësuar për moshën e Presidentit Biden dhe ish-Presidentit Trump. Dona Mendez, votuese për herë të parë, zgjodhi demokraten Marianne Williamson.
“Më duket se Bideni është shumë i moshuar për ta drejtuar vendin edhe katër vite të tjera dhe do të ishte mirë të kishte alternativa, sidomos të kemi presidenten e parë grua”, thotë ajo.
Me fitoret e së martës, ish Presidenti Trump siguron mjaftueshëm delegatë për të marrë kandidaturën e partisë Republikane të martën e ardhshme, kur votohet në katër shtete të tjera.
Një ripërballje mes republikanit Trump, 77 vjeç dhe demokratit Biden, 81 vjeç – gara e parë mes të njëjtëve kandidatë në një cikël të ndryshëm zgjedhor në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1956 – është diçka që pak amerikanë e dëshirojnë. Sondazhet tregojnë se si zoti Biden ashtu edhe zoti Trump kanë mbështetje të ulët midis votuesve në përgjithësi.
Një numër votuesish demokratë, të cilët fajësojnë zotin Biden për mbështetjen që i ka dhënë Izraelit në luftën kundër Hamasit, votuan si të pavendosur.
Analisti Thomas Whalen thotë për Zërin e Amerikës se për të fituar, Presidenti Biden duhet të ndryshojë qëndrimin ndaj situatës në Gazë.
“Ai mori një mesazh mjaft të qartë nga votuesit demokratë se nuk do ta mbështesin ose nuk do të dalin në votime në nëntor nëse ai nuk ndryshon qasje”, thotë zoti Whalen.
Përsa i përket zotit Trump, sipas zotit Whalen, një nga sfidat kryesore të ish Presidentit është mbështetja e votuesve me arsim të lartë në shtetet vendimtare.
“Trumpi nuk mund të fitojë nëse nuk e bashkon bazën republikane si tërësi, sepse zgjedhjet treguan se të pavarurit nuk e duan, nuk e besojnë. Mendoj se rezultatet e zgjedhjeve parapake, shfaqin dobësi të mëdha të kandidaturës së tij”, thotë zoti
Zgjedhjet pritet të jenë thellësisht përçarëse, ndërsa Shtetet e Bashkuara po përballen me një polarizim të thellë politik.
Presidenti Biden e ka cilësuar ish-Presidentin Trump si rrezik për parimet demokratike, ndërsa zoti Trump kërkon rikthimin në Shtëpinë e Bardhë dhe vazhdon të pretendojë pa fakte se i fitoi zgjedhjet që i humbi më 2020.