Kina njofton planet për 5% rritje ekonomike

China Congress

Kongresi Kombëtar Popullor i Kinës çeli sot sesionin vjetor në Pekin. Udhëheqësit kinezë po përqendrohen në zhvillimet pozitive ndonëse vendi po ndeshet me shumë probleme ekonomike.

Your browser doesn’t support HTML5

Kina njofton planet për 5% rritje ekonomike


Në hapjen ceremoniale të punimeve të Kongresit të saj Kombëtar Popullor, Kina njoftoi planet ambicioze për ekonominë. Kjo është një mundësi për të shfaqur optimizëm mes sfidave të shumta ekonomike me të cilat po përballet vendi.

Kryeministri Li Qiang njoftoi planet për një rritje ekonomike vjetore prej 5 për qind, ashtu si në vitin e kaluar.

“Arritja e këtyre objektivave këtë vit nuk do të jetë një punë e lehtë. Duhet të jemi të përqendruar në zbatimin e politikave ekonomike dhe duhet të dyfishojmë përpjekjet tona nga të gjitha anët”, tha ai.

Udhëheqësit kinezë kanë përjetuar një nga rritjet më të ngadalta ekonomike të vendit në disa dekada, ndërsa po përballen me krizën në tregun e pasurive të patundshme dhe ngadalësimin e investimeve të huaja.

Por, në takimin e kontrolluar deri në detaje, ka optimizëm në mesin e pjesëmarrësve ndërsa elita politike e Kinës miraton planet e Partisë Komuniste.

Një nga qëllimet kryesore të këtij takimi është qetësimi i investitorëve të huaj, të cilët kanë shumë pyetje lidhur me gjendjen ekonomike të Kinës. Por, mungesa e konferencave për shtypin mund të mos krijojë mundësinë për t’i dhënë përgjigje pyetjeve mbi ekonominë e vendit.

Për shumë dekada, kryeministri i Kinës u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në fund të takimit. Këtë vit, kjo pjesë e agjendës së takimit është anuluar.

“Kjo ka qenë një mundësi për mediat ndërkombëtare që të kenë qasje tek kryeministri i vendit. Kështu që anulimi i konferencës për shtypin është zhgënjyes për shumë media ndërkombëtare. Në fakt, shumë prej tyre janë të befasuar nga ky vendim”, thotë Lim Tai Wei nga Universiteti Kombëtar i Singaporit.

Në përpjekjet e tij për të konsoliduar pushtetin, Presidenti kinez Xi Jinping është përqendruar në çështjen e sigurisë kombëtare. Kjo i ka frikësuar disa kompani të huaja.

Por investitorët do të jenë nxiten nëse Kina realizon objektivat e saj të rritjes ekonomike, thotë eksperti Lim.

“Vitin e kaluar rritja ekonomike ishte në nivelin 5 për qind. Një rritje ekonomike në të njëjtin nivel edhe këtë vit do të nënkuptonte një vazhdimësi të rimëkëmbjes ekonomike nga goditja që ajo mori gjatë pandemisë së koronavirusit. Në vitin 2022, rritja ekonomike ishte në nivelin 3 për qind. Pra, qeveria kineze dëshiron të ofrojë një pasqyrë pozitive të ekonomisë”, thotë ai.

Kina gjithashtu ka njoftuar se do të rrisë shpenzimet në fushën e mbrojtjes me rreth 7 për qind, shumë më lartë se sa objektivi i saj ekonomik.

Më vonë këtë javë, udhëheqësit kinezë pritet gjithashtu të diskutojnë mbi politikën e jashtme dhe çështje të tjera mes forcimit të masave të sigurisë në Sheshin Tiananmen dhe në mbarë kryeqytetin e vendit.