Presidenti Zelensky bën thirrje që mos të ketë vonesa në dërgimin e armatimeve nga Perëndimi

Ekipt e shpëtimit në bllokun e apartamenteve të shkatërruara nga droni rus në Odesa, Ukrainë, 2 mars 2024.

Numri i viktimave si pasojë e goditjes me dronë nga Rusia në një bllok apartamentesh në Odesa të Ukrainës, ka arritur në 10.

Governatori i qytetit port në jug të Ukrainës tha se mes rrënojave u gjend edhe një foshnje.

Ndërkohë, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, përmes një videoje të publikuar të shtunën u bëri thirrje aleatëve perëndimorë që të forcojnë kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës. Ai vuri në dukje se vonesat me furnizime për sistemet e mbrojtjes ajrore do të shkaktonin më shumë humbje për ukrainasit.

“Kur ka kosto në jetë njerëzish dhe partnerët përfshihen në lojra të brendshme politike, ose mosmarrëveshje që kufizojnë mbrojtjen tonë, është e pamundur që të kuptojmë. Është e papranueshme. Do jetë e pamundur ta harrojmë, bota do ta kujtojë këtë gjë”, tha ai.


Ndërkohë, në Moskë, i dërguari i posaçëm për Ukrainën zhvilloi bisedime të shtunën në mbrëmje me zyrtarë rus, në ndalesën e parë të një turneu në Evropë, gjatë të cilit ai do të vizitojë Belgjikën, Poloninë, Gjermaninë dhe Francën, sipas njoftimeve nga mediat ruse dhe kineze.

Në një deklaratë të shpërndarë të shtunën në mëngjes, ministria e Jashtme e Kinës tha se Përfaqësuesi Special Li Hui dhe Zëvendës ministri i Jashtëm Mikhail Galuzin ranë dakord se bisedimet janë e vetmja rrugë për t’i dhënë fund luftimeve në Ukrainë.