SHBA dërgon ndihmat e para nga ajri në Rripin e Gazës

People watch as U.S. military carries out its first aid drop over Gaza, amid the ongoing the conflict between Israel and the Palestinian Islamist group Hamas, in Gaza City

Ushtria amerikane për herë të parë të shtunën kreu një operacion të dërgimit nga ajri të ndihmave në Rripin e Gazës, pasi vdekja e palestinezëve, që po prisnin në radhë për ushqim, vuri theksin tek katastrofa humanitare në rritje në një zonë bregdetare me njerëz të zhvendosur nga operacionet disa mujore ushtarake të Izraelit.

Vende të tjera, përfshirë Jordaninë dhe Francën, kanë kryer tashmë operacione të dërgimit të ndihmave nga ajri në Gazë, ku Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare thotë se një e katërta e popullsisë së shpejti mund të vuajë nga uria.

Përmes një avioni transporti ushtarak C-130, Shtetet e Bashkuara hodhën më shumë se 38,000 racione ushqimore përgjatë vijës bregdetare të Gazës në Mesdhe, tha ushtria amerikane përmes një deklarate. Në këtë operacion morën pjesë edhe forcat jordaneze.

Një zyrtar amerikan i tha agjencisë së lajmeve Reuters se ndihmat amerikane u hodhën me parashutë në qytetin e Mauasit në jugperëndim të Gazës.

Shtëpia e Bardhë tha se dërgimi i ndihmave nga ajri në Rripin e Gazës do të vazhdojë dhe se Izraeli e mbështet këtë operacion. Kritikët thonë se ndihmat nga ajri kanë një ndikim të kufizuar dhe se është pothuaj e pamundur për t’u siguruar që ato nuk do të përfundojnë në duart e militantëve.

Bisedimet për arritjen e një armëpushimi pritet të rifillojnë të dielën në Egjipt dhe një zyrtar i lartë amerikan tha se ekziston një kornizë mbi një marrëveshje për një armëpushim gjashtë javor, për të cilën ka rënë dakord Izraeli, dhe ajo varet nga vullneti i militantëve të Hamasit për të liruara pengjet.

“Pengjet do të lirohen”, tha zyrtari amerikan për gazetarët. “Marrëveshja pothuaj është arritur. Por, unë nuk dua t’i paraprijë gjerave”, shtoi ai.

Nënpresidentja amerikane Kamala Harris do të takohet me anëtarin e kabinetit izraelit të luftës, Benny Gantz të hënën në Shtëpinë e Bardhë, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Në Jeruzalem, mijëra izraelitë marshuan, duke bërë thirrje për lirimin e pengjeve që po mbahen nga Hamasi në Rripin e Gazës. Protesta drejtohej nga anëtarët e familjeve të pengjeve, që Hamasi i rrëmbeu gjatë sulmit të 7 tetorit në Izrael.


SULMI NË RAFAH

Ndërkohë, të paktën 10 palestinezë u vranë si pasojë e një sulmi ajror izraelit të shtunën në Rafah, njoftoi ministria e shëndetësisë në Rripin e Gazës.

Sulmi ndodhi të shtunën në një zonë me palestinezë të zhvendosur, afër Spitalit të Emirateve në lagjen Tel Al-Sultan në jug të qytetit Rafah.

Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës, e cila drejtohet nga Hamasi, që është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, tha se një punonjës shëndetësor që punonte në spital ishte në mesin e të vrarëve. Ushtria e Izraelit ende nuk ka bërë komente për incidentin.

Ndërkohë, sipas dy burimeve nga qeveria egjiptiane, bisedimet për një armëpushim në Rripin e Gazës pritet të rifillojnë të dielën, megjithëse mediat izraelit njoftuan se Izraeli nuk do të dërgonte një delegacion në bisedime nëse Hamasi nuk ofron një listë të plotë të pengjeve izraelite që ende janë gjallë.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se shpreson që të arrihet një marrëveshje armëpushimi para muajit të Ramazanit, i cili fillon më 10 mars.

Trysnia për arritjen e një armëpushimi është rritur për shkak të njoftimeve për mbi 30 mijë palestinezë të vrarë në ofensivën e Izraelit në Rripin e Gazës dhe paralajmërimit të OKB-së për rrezikun e urisë, me të cilin përballet një e katërta e palestinezëve nëse nuk ndërpriten luftimet së shpejti.

Izraeli është zotuar se do të shkatërrojë Hamasin dhe nisi një ofensivë të madhe ushtarake në Rripin e Gazës pas sulmit të militantëve në Izrael më 7 tetor, në të cilin u vranë 1200 njerëz dhe u morën peng 250 të tjerë.