Bashkimi Evropian tha të enjten se raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet në Serbi “konfirmon shqetësimet e bllokut”, rreth parregullsive në zgjedhjet parlamentare dhe lokale të 17 dhjetorit në vendin ballkanik.
Your browser doesn’t support HTML5
Zyra për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, tha në raportin përfundimtar se zgjedhjet u mbajtën në kushte të padrejta dhe u “dëmtuan nga retorika e ashpër, anshmëria në media, trysnia ndaj punonjësve të sektorit publik dhe keqpërdorimi i burimeve publike”.
Raporti paraqiti po ashtu propozimet për veprimet që duhet të marrin autoritetet serbe para zgjedhjeve të ardhshme.
Serbia është një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por qeveria e presidentit Aleksandar Vuçiç është përballur me akuza për shkelje të lirive demokratike.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se raporti i OSBE/ODIHR-it konfirmon shqetësimet e bllokut për procesin e zgjedhjeve në Serbi.
“Procesi elektoral në Serbi kërkon përmirësime të dukshme dhe reforma të mëtejshme, sepse funksionimi i duhur i institucioneve demokratike të Serbisë është në thelb të procesit të anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian”, tha zoti Stano.
Ai tha se raportet për parregullsi duhet të hetohen në mënyrë transparente, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale, ndërsa mirëpriti siç tha, gatishmërinë e autoriteteve në Serbi për të punuar në zbatimin e rekomandimeve.
Pohimet e opozitës serbe për mashtrime masive dhe mohimet nga ana e pushtetit, nxitën tensione në Serbi dhe çuan në protesta.
Kryeministrja serbe Ana Brnabiç akuzoi grupet e opozitës dhe mediat e pavarura për krijimin e një "pasqyre të rreme" rreth zgjedhjeve me qëllim të destabilizimit të vendit. Ajo tha se raporti i OSBE/ODIHR-it, u jep fund gënjeshtrave rreth vjedhjes së zgjedhjeve.
"Kur i lexoni rekomandimet është e qartë se zgjedhjet në Serbi ishin të drejta dhe transparente”, tha kryeministrja serbe.
Komisioni i Zgjedhjeve e shpalli Partinë Përparimtare Serbe të presidentit Vuçiç fituese të votimeve për parlamentin 250 vendesh dhe të pushtetit komunal në 60 qytete përfshirë Beogradin.
Opozita ngulë këmbë se asaj iu vodh fitorja në Beograd dhe i gjithë procesi zgjedhor ishte i parregullt.
"Kur dikush ju thotë se zgjedhjet u zhvilluan në kushte të pabarabarta, duke favorizuar një njeri, një parti, në një mjedis polarizimi dhe gjuhe të urrejtjes ... ato janë zgjedhje të padrejta, jo të lira dhe jodemokratike", tha Marinika Tepiç, një nga udhëheqësit e koalicionit opozitar Serbia kundër dhunës.
Raporti i vëzhguesve ndërkombëtarë thekson se “përfshirja vendimtare” e presidentit të Serbisë Vuçiç, “së bashku me përparësitë sistematike të partisë në pushtet, krijoi kushte të padrejta për garuesit”.
Opozita dhe vëzhguesit vendas të zgjedhjeve thanë se votues nga jashtë janë shtuar në listat e votuesve në Beograd dhe janë dërguar atje me autobusë në ditën e zgjedhjeve, për të votuar për partinë në pushtet.
Lexoni edhe këtë Policia shpërndan me forcë protestuesit e opozitës serbe në Beograd"Këto akuza dëmtuan besimin e publikut në integritetin e zgjedhjeve lokale dhe gjithashtu ndikuan në pranimin e rezultateve parlamentare". thuhet në raportin e ODIHR-it, në të cilin u kërkohet autoriteteve të kryejnë një “auditim kuptimplotë të votuesve dhe regjistrave civilë”.
Mes rekomandimesh tjera raporti kërkon “masa për të parandaluar keqpërdorimin e detyrës dhe burimeve shtetërore” dhe “zbatimin e mekanizmave efektivë të mbikëqyrjes ligjore dhe institucionale për të parandaluar frikësimin dhe trysninë ndaj votuesve, përfshirë punonjësit e institucioneve publike dhe shtetërore”.
Në fillim të këtij muaji Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë me të cilën dënoi parregullsitë e raportuara në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi dhe kërkoi hetim ndërkombëtar të tyre.
Lexoni edhe këtë Parlamenti Evropian përmes një rezolute kërkon hetim ndërkombëtar për zgjedhjet e 17 dhjetorit në SerbiMë herët presidenti serb hodhi poshtë mundësinë për ndonjë hetim të jashtëm, duke thënë se zgjedhjet janë "një çështje e institucioneve shtetërore serbe".
*Pjesë të këtij materiali u morën nga agjencia e lajmeve Associated Press