Varhelyi: Mali i Zi, vendi kandidat më i avancuar në negociatat për anëtarësim

  • Ali Salaj

Komisioneri evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi tha të martën në Podgoricë se Mali i Zi duhet të përfitojë nga mundësia e madhe dhe momenti i favorshëm për të përshpejtuar rrugën evropiane, në mënyrë që të ringjallet procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian me anëtarësim.

Zoti Varhelyi bëri të ditur në Mal të Zi se ka ardhur me një mesazh të qartë.

"Mali i Zi është vendi kandidat më i avancuar në negociatat për anëtarësim. Të gjithë jemi të gatshëm të mbyllim standardet e përkohshme, synimi ynë është ta çojmë Malin e Zi në nivelin tjetër", vlerësoi zoti Varhelyi.

Gjatë takimit me Komisionerin evropian, Presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviç theksoi rëndësinë e anëtarësimit të plotë në BE që, siç tha ai, "është një synim i politikës së jashtme dhe pritshmëria e Mali të Zi, si udhëheqës në procesin e negociatave, të bëhet anëtar i plotë i BE-së deri në vitin 2028”.

Edhe kryeministri malazez, Milojko Spajiç falënderoi zotin Varhelyi për mbështetjen e tij ndaj Malit të Zi. Ai shkroi në rrjetin X se "me një inkurajim të tillë do të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë në rrugën tonë drejt BE-së”.

Për të mbyllur kapitujt e mbetur të negociatave, Mali i Zi duhet të bëjë përparim në kapitujt 23 dhe 24, të cilët kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar.

Mali i Zi konsiderohej si një vend që udhëhiqte në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian në rajon dhe ka hapur të gjithë kapitujt në negociatat për anëtarësim.

Megjithatë, si pasojë e krizës politike dhe institucionale, nga dhejtori i vitit 2021 Mali i Zi nuk ka pasur një konferencë ndërqeveritare, për shkak të përparimit të pamjaftueshëm në reformat e nevojshme për procesin e anëtarësimit.