Konflikti ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, që filloi me sulmin terrorist të grupit militant palestinez dhe po vazhdon me kundërpërgjigjen e përgjakshme ushtarake izraelite në Gazë, ka shkaktuar polarizim global. Ky konflikt, sipas ekspertëve, po lë gjurmë edhe në shtetet e Ballkanit Perëndimor në aspektin e sigurisë dhe tek përdorimi në rritje i gjuhës së urrejtjes. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, studiuesi Adrian Shtuni, që studion fenomenin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, paralajmëron se polarizimi social dhe politik që ekziston sot në shtetet e rajonit, i nxitur nga gjuha e urrejtjes lidhur me konfliktin në Lindje të Mesme mund të përshkallëzojë situatën e brishtë veçanërisht në Kosovë.
Your browser doesn’t support HTML5
Zëri i Amerikës: Zoti Shtuni, si studiues i ekstremizmit të dhunshëm, grupeve terroriste dhe njohës i dinamikave në Ballkanin Perëndimor, së fundmi keni paralajmëruar për ndikimin e konfliktit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Ballkanin Perëndimor. Si po manifestohet ky konflikt?
Adrian Shtuni: Ky është një konflikt mjaft i rëndësishëm. E kemi parë nga vëmendja e gjerë që kërkon, nga konsumi, nga ana e publikut, i informacionit në lidhje me konfliktin dhe në vetvete, si konflikt, ka shumë ndikim edhe në aspektin humanitar edhe në atë të sigurisë, sepse ka edhe një lidhje më të afërt me popullin e Palestinës dhe problemin e Palestinës në Ballkanin Perëndimor edhe për arsye fetare.
Në aspektin e sigurisë kemi disa lloj trendesh, të cilat janë të dukshme. Një nga këto trende kryesore është frika për një valë të re refugjatësh dhe migrantësh të paligjshëm të cilët mund të kalojnë nëpërmjet Ballkanit Perëndimor, që është një nga rrugët kryesore për kalimin e migrantëve, refugjatëve për në Bashkimin Evropian. Siç është parë edhe gjatë krizës së Sirisë dhe Irakut, në këto lloj valësh të migrantëve janë infiltruar elementë terroristë, që pastaj kanë kryer aktivitete, akte terroriste në Evropë.
Një shqetësim tjetër është ai i gjuhës së urrejtjes. Kemi parë shtim të gjuhës së urrejtjes sidomos në mediat sociale, që është e lidhur me konfliktin. Kemi parë një valë po ashtu shqetësuese të keqinformimit dhe dezinformimit.
Dhe e katërta është pikërisht radikalizmi që vjen nga kombinimi i faktorëve të mësipërm dhe që çon pastaj së bashku me polarizimin social në fenomenet e tjera shumë të rrezikshme, që mund të çojnë deri në sulme terroriste, apo aktivitetet të tjera. Dhe mobilizim, që mund të jetë i ngjashëm me atë që kemi parë gjatë luftës në Siri dhe Irak, nga e cila vetëm nga Ballkani kanë shkuar mbi 1,000 individë, që i janë bashkuar kryesisht organizatave terroriste.
Zëri i Amerikës: Megjithatë për çështjen e rekrutimit të luftëtarëve të huaj, ju thoni, në raportin tuaj të fundit, se rreziku është i ulët për këtë çështje. Por theksin e keni vënë te dinamikat rajonale. Për çfarë dinamika e keni fjalën?
Adrian Shtuni: Ne e pamë, sulmi i Banjskës, ishte një sulm që shkon përtej terrorizmit, ishte një sulm paramilitar me qëllim destabilizimin e Kosovës, jo vetëm në veri, por që ka edhe një dimension rajonal, sepse ky destabilizim nuk mund të përmbahet thjesht në Kosovë nëse arrin të jetë i suksesshëm. Kemi një problem të jashtëzakonshëm me polarizimin brenda Kosovës por edhe të Bosnjës. Unë në raport fokusohem më tepër në Kosovë. Kemi një polarizim social, një polarizim politik. E shikojmë në diskursin e përditshëm, kemi tendenca përplasjeje ndëretnike. Nuk ka qenë vetëm sulmi i Banjskës; ka pasur edhe incidente të tjera të shpeshta dhe kemi në një situatë të tillë, që është mjaft e tensionuar dhe mundet të kalojë shumë kollaj në përplasje fizike, kemi probleme të tensionit të shtuar që ndërlidhen me konfliktet tjera.
Në këtë rast me konfliktin e Palestinës, ku kemi një konflikt me tre dimensione – konflikt për territor, konflikt me bazë etnike, por edhe me një lloj baze fetare. Të njëjtat gjëra i kemi parë edhe në Ballkan gjatë kohës së luftës në vitet ’90 si në Bosnje dhe në Kosovë, ku ka qenë një luftë për territor, por edhe luftë e fokusuar tek marrëdhëniet ndëretnike dhe ka pasur një komponent të qartë fetar. Mos të harrojmë që në luftën e Kosovës mbi 200 xhami janë dëmtuar ose shembur. Në njëfarë mënyre edhe në krahun tjetër dhjetëra kisha ortodokse po ashtu janë dëmtuar ose janë sulmuar. Dhe kur shikojmë një ngjashmëri midis të dyja konflikteve, shikojmë sensitivitetin e publikut dhe këtë valë qoftë të dezinformimit, qoftë të gjuhës së urrejtjes, shumë kollaj mund të kalohet në radikalizëm të përshpejtuar, i cili pastaj çon akoma më tepër në polarizim dhe në aktivitete potencialisht shumë të rrezikshme për situatën e sigurisë brenda në Kosovë dhe në rajon. Këto janë të ndërlidhura, nuk mund të shikohen veçmas, sepse janë duke ndodhur në të njëjtën kohë. Nuk mund ta mbash situatën të izoluar nga faktorë të tjerë që ndikojnë për shkak të rezonancës në popull, për shkak të ndjeshmërisë që ka ndaj këtij konflikti, që është duke u zhvilluar në Gazë dhe që fatkeqësisht ka qenë shumë i përgjakshëm.
Zëri i Amerikës: Megjithatë ju thoni se rajoni qëndron më mirë se vendet tjera të Evropës sa i përket dhunës ose incidenteve anti-semite dhe incidenteve të tjera që lidhen drejtpërdrejt me konfliktin. Gjetët që gjuha e urrejtjes ka shënuar rritje, sikur që ka shënuar rritje edhe dezinformimi, e thatë edhe tani, si dhe keqinformimi. A bëhet fjalë për faktorë të jashtëm që nxisin këto fenomene, apo janë reagim ndaj situatës?
Adrian Shtuni: Është një pyetje jashtëzakonisht e mirë që kërkon hulumtim të vazhdueshëm dhe kërkon sidomos rritje të vigjilencës nga autoritetet përgjegjëse për sigurinë në Ballkan. Ne kemi parë më përpara dhe e kam thënë që pas luftës së Kosovës, kemi pasur një infiltrim të shoqërisë nga elementë shumë problematikë që kanë sjellë një ideologji radikalizuese, të tipit ekstrem, që më prapa është materializuar edhe me atë valën e luftëtarëve të huaj që kemi parë, që kanë shkuar në Siri dhe Irak dhe që fatkeqësisht akoma kemi qytetarë të vendeve të Ballkanit që vazhdojnë të luftojnë në Siri. Kjo nuk ka ndodhur aksidentalisht, nuk ka ndodhur brenda natës. Ka ndodhur falë një pune që ka qenë e dedikuar, e mirë financuar nga jashtë, që ka ardhur fatkeqësisht edhe si mungesë e njohurive nga autoritetet vendore se çfarë ishte kjo ideologji dhe ku mund të çonte.
Kështu që deri tani ne nuk kemi parë elemente të cilat do të na bënin të mendonim se është duke u përgatitur një valë e re luftëtarësh të huaj për të luftuar nga Ballkani në Gaza për një sërë arsyesh – arsye gjeografike, Gaza është vend mjaft i izoluar, nuk është kollaj të arrish atje, edhe për arsye ideologjike, sepse nuk është e njëjta gjë. Shteti Islamik dhe Hamasi kanë diferenca në ideologji, kanë qasje taktike të ngjashme, sikur e pamë në sulmet terroriste që u bënë në Izrael. Por kanë një ideologji që është e ndryshme. Ndërkohë që Shteti Islamik ka një ideologji për të krijuar një Kalifat dhe që është një synim që kalon përtej nacionalizmit vendor, Hamasi është një lëvizje që ata e konsiderojnë çlirimtare, është një lëvizje nacionaliste, pavarësisht se e ka elementin islamik në mes.
Sa i përket gjuhës së urrejtjes, kam përshtypjen se është një kombinim. Unë e kam ndjekur nga afër çfarë është duke ndodhur edhe gjatë protestave. Kemi parë thirrje të cilat janë anti-semite, si për shembull “Mbani botën të pastër” duke përdorur simbolet e shtetit të Izraelit, të hedhura në një kosh plehrash, apo thirrje që të ketë “Nga lumi deri në det vetëm një Palestinë” që do të thotë të fshihet nga harta shteti i Izraelit. Këto janë thirrje problematike, por nuk janë thirrje të cilat e kanë origjinën në Ballkan. Këto i kemi parë edhe në vende të tjera dhe kjo tregon që ka njëfarë ekoje të narrativave që nuk janë autentike dhe nuk janë të lindura në Ballkan, por reflektojnë njëfarë solidariteti fatkeqësisht që i bën jehonë gjuhës së urrejtjes. Nuk kemi parë sulme të drejtuara ndaj komunitetit qoftë izraelit, apo palestinez, gjë që është pozitive në këtë moment.
Por, sa i përket pastaj dezinformimit, keqinformimit këtu unë kam vërejtur që ka elemente që mua më shqetësojnë. Për shembull, kam vënë re në mediat sociale që ka shumë llogari të cilat nuk janë të identifikuara, janë anonime dhe përdorin një gjuhë që duket sikur është përkthyer me ‘Google translate’. Kam përshtypjen, pavarësisht se nuk e kam bindjen, sepse duhet që ta studioj më thellë fenomenin, por kam përshtypjen, që ka instanca që ndoshta janë duke përdorur këtë konflikt për të infiltruar narrativa problematike, që çojnë tek përplasjet ndëretnike, ndërfetare, që çojnë tek gjuha e urrejtjes, çojnë tek manipulimi i opinionit publik dhe duhet që të ketë vëmendje të shtuar sepse ka mangësira nga platformat e mediave sociale në menaxhimin e këtyre lloj informacioneve, në pastrimin e tyre, heqjen e tyre dhe kjo vjen për shkak se fokusin e kanë kryesisht tek gjuhët kryesore, tek anglishtja, tek frëngjishtja, tek spanjishtja, por nuk ka një vëmendje të posaçme tek gjuhët e Ballkanit si shqipja apo serbishtja.
Zëri i Amerikës: Duke marrë parasysh rolin aktiv të Shteteve të Bashkuara në dy konflikte globale, konfliktin e Ukrainës dhe konfliktit e Izraelit me Hamasin, a mendoni se kanë vëmendje të mjaftueshme për të arritur me sukses një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës këtë vit?
Adrian Shtuni: Unë mendoj që sa më tepër kriza akute të sigurisë të jenë në botë, aq më shumë është e nevojshme që kriza midis Kosovës dhe Serbisë të zgjidhet për shkak se vëmendja fatkeqësisht është e limituar, resurset janë të limituara dhe në qoftë se ka zjarre më të mëdha, që janë duke u djegur me dimensione akoma më të mëdha rajonale, fatkeqësisht mund të mos ketë nivelin maksimal të impenjimit, sidomos kur ky impenjim është frustruar nga një qasje jo bashkëpunuese. Prandaj duhet që të ketë një shtim të impenjimit real, jo thjesht me fjalë, për të zbatuar marrëveshjet e arritura në mënyrë që të shkohet drejt normalizimit të marrëdhënieve. Përndryshe kam frikë se me gjithë këto konflikte, në Ukrainë, në Gaza, sulmet e grupeve si Houthi po edhe në vendet e tjera, kam frikë se nëse vazhdohet në këtë mënyrë mund të kemi destabilizim potencial në veri të Kosovës, por edhe në rajon. Dhe këtu pikërisht është edhe shqetësimi, prandaj duhet të ketë më tepër vëmendje dhe më tepër impenjim për gjetjen e një zgjidhjeje.
Kemi një vend mjaft të polarizuar. Po t’i hapim gazetat qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, qoftë në Serbi, qoftë në Bosnjë, kryefjala e titujve është luftë. Në qoftë se njerëzit hapin televizorin shikojnë luftë, në Gaza, në Ukrainë. Hapin gazetat lexojnë për luftë, luftë lokale, luftë brenda komuniteteve të tyre dhe në qoftë se shkojnë në media sociale dhe gjëja kryesore që shikojmë është që nuk ka durim për debat, por ka vetëm sharje dhe kërcënime, atëherë të gjitha këto kombinohen me njëra tjetrën për të krijuar një situatë, e cila është shumë problematike dhe nga polarizimi social, polarizimi politik, sepse nuk kemi vetëm polarizim ndëretnik, kemi edhe polarizim politik brenda etnik. Në Kosovë, po ta shikojmë, nuk ka dialog midis palëve politike, partive politike, jo dialog konstruktiv, sidomos në një kohë krize. Kjo është e pashpjegueshme. Të gjitha këto shtojnë tensione dhe ky polarizim i shtuar, bashkë me faktorët që vijnë nga jashtë, shton stresin, shton ankthin, shton edhe radikalizimin dhe në qoftë se kemi radikalizëm të shtuar për shkak të polarizimit, atëherë mund të kemi dhe dhunë politike, që ne faktikisht e kemi parë. Dhunë politike në Banjska, që ka qenë jashtëzakonisht e rrezikshme dhe që akoma nuk është zgjidhur, sepse akoma dhe sot Radoiçiç dhe ata që e kanë kryer atë akt janë duke ecur të lirë, nuk janë përballur me asnjë lloj drejtësie. Kjo akoma më tepër na shqetëson sepse sjell edhe komponentin tjetër, që ka shtete dhe jo vetëm grupacione që janë të interesuar për destabilizim në rajon.