Yulia Navalnaya zotohet të vazhdojë luftën e të shoqit ndaj Kremlinit

Bashkëshortja e udhëheqësit të opozitës ruse, Alexei Navalny u zotua të hënën se do të vazhdojë luftën kundër Kremlinit.

Me zërin që i dridhej herë pas here në një video të postuar në mediat sociale, Yulia Navalnaya akuzoi presidentin rus Vladimir Putin për vrasjen e burrit të saj në një burg të largët në Arktik dhe tha se refuzimi i zyrtarëve për t'ia dorëzuar trupin e tij nënës së tij, ishte pjesë e përpjekjes për të fshehur arsyen e vërtetë të vdekjes së tij.

Autoritetet ruse thanë se shkaku i vdekjes së Navalnyn të premten në moshën 47-vjeçare nuk dihet ende është ende i panjohur – dhe rezultatet e çdo hetimi ka të ngjarë të vihen në dyshim jashtë vendit.

Shumë udhëheqës perëndimorë kanë thënë se e konsiderojnë presidentin rus përgjegjës për vdekjen e kundërshtarit të tij.

Navalny ishte i burgosur që nga janari 2021, kur u kthye në Moskë pasi u shërua në Gjermani nga një helmim me agjent nervor për të cilin fajësoi Kremlinin.

Ai u dënua tre herë me burg që nga arrestimi i tij, për një sërë akuzash që ai i kishte hedhur poshtë si të motivuara politikisht.

“Ata po e fshehin poshtërsisht trupin e tij, duke refuzuar t'ia japin nënës së tij dhe duke gënjyer në mënyrë të paturpshme, ndërsa presin që të zhduken gjurmët e helmimit”, tha zonja Navalnaya, duke lënë të kutohet se burri i saj mund të ishte vrarë me një agjent nervor të stilit Noviçok.

Ajo u bëri thirrje rusëve të bashkohen me të "për të ndarë jo vetëm pikëllimin dhe dhimbjen e pafund që na ka përfshirë, por edhe zemërimin tim".

“Gjëja kryesore që mund të bëjmë për Alexei-n dhe veten tonë është të vazhdojmë të luftojmë. Ne të gjithë duhet të bashkohemi dhe të godasim atë regjim të marrë”, tha ajo.

Të hënën, Ivan Zhdanov, drejtori i Fondacionit Kundër Korrupsionit të Navalny-t, tha se trupi i tij nuk do t'i jepej nënës së tij për 14 ditë derisa të kryhet një analizë kimike, sipas një hetuesi rus.

Zëdhënësja e zotit Navalny, Kira Yarmysh tha se Komiteti Hetimor, agjencia më e lartë hetimore penal në vend, informoi Lyudmila Navalnayan se hetimi zyrtar do të vazhdonte më gjatë.

“Ata gënjejnë, blejnë kohë për veten e tyre dhe as nuk e fshehin një gjë të tillë”, postoi zëdhënësja Yarmysh në platformën X.

Në Bruksel të hënën, e veja e Navalny-t u takua me ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian dhe zyrtarë të tjerë. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell tha se blloku po shqyrtonte vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar të pavarur për shkaqet e vdekjes së Navalny-t.

Ai tha se përgjegjësia për vdekjen e Navalny-t qëndron tek "vetë Putini”, por se këtu përfshihet struktura institucionale e sistemit të burgjeve në Rusi, duke thënë se ndaj saj mund të ndërmerren ngrirje të pronave dhe ndalime udhëtimi.

Presidenti Joe Biden tha të hënën se edhe administrata e tij po shqyrton mundësinë e vendosjes së sanksioneve shtesë ndaj Rusisë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cilësoi akuzat e udhëheqësve perëndimorë si "të papranueshme".

"Këto deklarata nuk mund t'i bëjnë asnjë dëm kreut të shtetit tonë, por sigurisht i bëjnë të duken keq ata që i bëjnë ato", tha Peskov në një telefonatë me gazetarët.

Një aleat i Navalny-t, Ivan Zhdanov, i denoncoi autoritetet ruse si "lakej dhe gënjeshtarë".

“Është e qartë se çfarë po bëjnë tani – po mbulojnë gjurmët e krimit të tyre”, tha ai të hënën.

Që nga vdekja e zotit Navalny, rreth 400 persona janë arrestuar nga policia në Rusi teksa krijonin përkujtimore të improvizuara me lule dhe qirinj për ta nderuar poltikanin e opozitës, sipas grupit OVD-Info, që monitoron arrestimet politike.

Në deklaratën e saj, Navalnaya tha: “Duke vrarë Alexein, Putin vrau gjysmën time, gjysmën e zemrës dhe gjysmën e shpirtit tim”. “Por unë kam ende gjysmën tjetër që nuk më lejon të dorëzohem. Unë do të vazhdoj punën e Alexei Navalnyt”, tha ajo.