Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së miratuan të martën ngritjen e akuzave për shkarkimin e Sekretarit të Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas duke e bërë atë përgjegjës për fluksin rekord të emigrantëve të paligjshëm që kalojnë kufirin SHBA-Meksikë. Republikanët e vijës së ashpër kanë vënë në shënjestër zotin Mayorkas për muaj të tërë për këtë çështje. Shkarkimi i zotit Mayorkas mund të bëhet në Senat ku demokratët kanë shumicën dhe sipas të gjitha gjasave akuzat do të hidhen poshtë.
Your browser doesn’t support HTML5
“Pro votuan 214 ligjvënës dhe kundër votuan 213, rezoluta u miratua”, konfirmoi ngritjen e akuzave për shkarkimin e Sekretarit Mayorkas republikani Mike Johnson, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.
Votimi për ngritjen e akuzave për shkarkim kaloi megjithëse tre republikanë iu bashkuan demokratëve duke votuar kundër.
Republikanët e vijës së ashpër kanë vënë në shënjestër zotin Mayorkas për muaj të tërë, por javën e kaluar ata dështuan për vetëm një votë më pak në përpjekjen e parë për të ngritur këto akuza.
Votimi të martën ishte përsëri i ngushtë, por megjithatë ai përfundoi me ngritjen e akuzave për shkarkim të Sekretarit Mayorkas me kthimin e udhëheqësit të shumicës republikane Steve Scalise në Kongres. Ai nuk mori pjesë në votimin e javës së kaluar pasi po merrte trajtim mjekësor.
Zoti Mayorkas është anëtari i dytë i kabinetit qeveritar në historinë amerikane ndaj të cilit ngrihen akuzat për shkarkim. Në vitin 1876, Dhoma e Përfaqësuesve ngriti akuza ndaj sekretarit të Mbrojtjes William Belknap në lidhje me kontratat qeveritare. Ai dha dorëheqje para votimit.
Javën e kaluar zoti Mayorkas e bëri të qartë se nuk do të jepte dorëheqje nëse ngriheshin akuzat për shkarkim kundër tij.
Pas votimit në Dhomën e Përfaqësuesve, akuzat do të dërgohen në Senat.
Demokratët kanë epërsi në Senat, ata kontrollojnë 51 vende dhe republikanët kanë 49.
Ka pak gjasa që demokratët të mbështesin largimin nga detyrat e zotit Mayorkas.
Çështja e imigracionit ka të ngjarë të jetë çështje kryesore në garën presidenciale të nëntorit, ku Preisenti Biden dhe ish Presidenti Trump duket se do të përballen përsëri me njëri-tjetrin.