Izraeli kryen sulme në Rafah dhe Khan Younis

Gaza

Forcat izraelite kryen sulme ajrore në qytetin Rafah gjatë natës dhe goditën disa zona në Khan Younis, në jug të Gazës, thanë banorët.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë, që kontrollohet nga Hamasi tha se forcat izraelite vazhdojnë të mbajnë të izoluar dy spitale në Khan Younis.

Agjencia e lajmeve Associated Press njoftoi se palestinezët kanë nisur të evakuojnë spitalin kryesor në këtë qytet pas javësh të tëra luftimesh të ashpra, që kanë bllokuar qendrën spitalore dhe kanë shkaktuar vdekjen e disa të shtruarve atje.

Lufta midis Izraelit dhe Hamasit, tashmë në muajin e pestë, ka shkatërruar sektorin shëndetësor të Gazës, ndërsa dhjetëra njerëz vriten dhe plagosen si pasojë e sulmeve të përditshme. Izraeli akuzon militantët se përdorin spitale dhe ndërtesa të tjera civile si mburoja. Khan Younisi është objektivi kryesor i ofensivës që Izraeli ka thënë se së shpejti do të zgjerohet në qytetin më jugor të Gazës, Rafah, në kufirin me Egjiptin.

Kajro e ka bërë të qartë se nuk do të lejojë një eksod refugjatësh përtej kufirit.

Sot Presidentii Turqisë, Recep Tayyip Erdogan po zhvillon vizitën e tij të parë në Egjipt që nga viti 2012 për t'u takuar me presidentin Abdel Fattah al-Sisi, duke hedhur një hap të madh drejt rindërtimit të lidhjeve midis fuqive rajonale.

Zoti Erdogan ka thënë se diskutimet do të përqëndrohen në ofensivën e Izraelit në Gazë.

Udhëheqësit, marrëdhëniet e të cilëve u prishën për shkak të grushtit të shtetit në Egjipt në vitit 2013 dhe pasojave të tij për Vëllazërinë Myslimane, do të mbajnë një konferencë për shtypin.

Marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Kajros u prishën në vitin 2013 pasi shefi i atëhershëm i ushtrisë egjiptiane Sisi udhëhoqi përmbysjen e ish presidentit Mohamed Morsi, të Partisë Vëllazëria Myslimane, një aleat i Turqisë.

Këtë të mërkurë, Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se që prej 7 tetorit, si pasojë e sulmeve izraelite janë vrarë 28,576 palestinezë dhe janë plagosur 68,291 të tjerë. Sipas autoriteteve izraelite, gjatë sulmit të Hamasit në 7 tetor u vranë të paktën 1200 izraelitë dhe u morën peng rreth 250 të tjerë.