IDM, studimi: Vetëm 1 në 5 projekt-ligje në Shqipëri këtë vit janë pjesë e Planit të Integrimit Europian

Gjergj Vurmo, studiues në IDM

Në Tiranë, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim publikoi sot një studim mbi agjendën e re ligj-hartuese të qeverisë, ku vërejti se vetëm 1 në çdo 5 projekt - akte për vitin 2024 është pjesë e detyrimeve që Shqipëria ka në procesin e integrimit europian, i njohur si Plani Kombëtar i Integrimit Europian.

IDM Grafik 1

Autori i studimit, Gjergj Vurmo, thotë në një intervistë me Zërin e Amerikës se afro 1/ 3 e projekt - akteve për këtë vit nuk burojnë nga ky Plan Kombëtar i Integrimit Europian.

Qeveria miratoi në fund të dhjetorit Programin e Përgjithshëm Analitik të Projekt-akteve (projekt-ligje dhe projekt-vkm), që parashikon të hartohen nga ekzekutivi dhe të dërgohen në Kuvend gjatë vitit 2024.

Autori i këtij studimi, Gjergj Vurmo, tha për Zërin e Amerikës se “Shqipëria ndodhet në një fazë shumë të rëndësishme të procesit të integrimit europian, teksa vitin e kaluar miratoi të paktën 5 dokumente strategjike në përgjigje të grup kapitujve të cluster 1, të cilat pritet të hapen së shpejti në negociatat me BE-në, por këtij intensiteti pune, duket se nuk i përgjigjet mjaftueshëm përmbajtja e Programit i Përgjithshëm Analitik mbi ligj-bërjen për vitin 2024”.

IDM Grafik 2

Studimi i IDM-së mbi këtë dokument se kjo përqindje prej 22.5% nuk pasqyron fazën aktuale të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe as nivelin e përgatitjeve, që ajo duhet të tregojë në përputhje me pritshmëritë dhe afatet e përcaktuara nnë dokumentet strategjike në kuadër të grup kapitujve Cluster 1 të negociatave me BE-në.

“Fakti që gjithë vëmendja e politikëbërjes dhe institucioneve shqiptare tashmë me hapjen e negociatave të paktën në 10 vitet në vazhdim do të jetë e përqëndruar në më shumë se gjysmën e volumit të saj pikërisht në përparësinë e integrimit, sugjeron që edhe agjenda ligjbërëse duhet t’i përshtatet këtij intensiteti. Çdo gjë fillon nga përafrimi i legjislacionit”, thotë zoti Vurmo për Zërin e Amerikës.

Studimi vëren se mbi 2/3 projekte-akteve të pritshme për sivjet janë projekt-VKM dhe më pak se 1/3 janë projekt-ligje.

Your browser doesn’t support HTML5

IDM, studimi: Vetëm 1 në 5 projekt-akte në Shqipëri këtë vit janë pjesë e Planit të Integrimit Europian

Në të theksohet që, ndonëse nisma legjislative u njihen edhe deputetëve edhe 20 mijë qytetarëve, është qeveria ajo që pritet të hartojë mbi 90 për qind të projektligjeve që do t’i dërgohen Kuvendit, duke përmbushur përparësitë e shumicës socialiste, si dhe objektivat strategjike, mes të cilave edhe anëtarësimi në BE, një proces i përshpejtuar dy vitet e fundit pas vendimit për hapjen e negociatave.

IDM Grafik 3

Gjetje tjetër e studimit është që ndërsa 22.5% burojnë nga Plani i integrimit në BE, pjesa më e madhe urojnë 50% nga strategjitë kombëtare dhe 41 për qind nga programi qeverisës, por janë edhe 31 për qind e projekt-akteve të reja të pritshme, të cilat nuk burojnë nga asnjëra prej tyre. Autori Vurmo thotë që për këtë 31 për qind të projekt-akteve, që nuk burojnë nga integrimi, programi dhe strategjitë kemi një të panjohur mbi burimin tjetër, për aq të dhëna sa janë në dispozion.

“Mbi 30 për qind të projekt-akteve të parashikuar për këtë vit nuk kanë si burim ose nuk vijnë si pasojë e asnjërit prej këtyre tre burimeve. Ky është një mister, do të thoja, i cili mund të shpjegohet ose me ekzistencën realisht të një burimi tjetër, prej të cilit vijnë, por i cili duhet bërë transparent, nëse është ky rasti, ose mund të jetë edhe si pasojë e keqmenaxhimit të procesit të planifikimit të projekt-akteve, ose keqekzekutimit të tyre nga ana e institucioneve propozuese, të cilat nuk kanë vendosur burimin real të këtyre projekt-akteve”, thotë për Zërin e Amerikës Gjergj Vurmo.

Duke folur për burimet e panjohura të projekt-ligjeve, zoti Vurmo kujtoi gjatë intervistës një studim të përbashkët të IDM-së me Transparency International në 2021, ku doli se asnjë nga ligjet e bëra me porosi nuk ka qenë programit të përgjithshëm analitik të projektakteve të miratuar nga Qeveria për vitin përkatës.

Studimi i IDM-së thekson rëndësinë që kanë në procesin e përgatitjes së projekt-aktve, gjithëpërfshirja, transparenca dhe konsultimet publike, të cilat kanë qenë të mangëta në periudha studimore të mëparshme.