Në Tiranë, dy vjet pasi së bashku me zotin Enkelejd Alibeaj, doli i fundit nga selia e Partisë Demokratike, të cilën ish kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, e morën nën kontroll paqësisht, ndryshe nga sulmi i janarit të po atij viti, këtë të hënë, kreu i grupit parlamentar demokrat Gazmend Bardhi dhe grupi i deputetëve që e ndjekin atë, shkelën aty për herë të parë, duke vulosur atë që kohët e fundit ishte paralajmëruar si bashkimi përfundimtar.
“Jo më përçarje! Jo më konflikt! Ne do të punojmë së bashku për të shndërruar opozitën e sotme në qeverisjen e neserme. Mbi këtë parim duhet të ndërtohet cdo marrëdhënie dhe duhet të jetë i mirëpritur cilido. Të flasim mbi ide, mbi parime, jo mbi individë”, deklaroi zoti Bardhi.
Përkrahës i fortë i distancimit nga zoti Berisha pas shpalljes së tij “non grata” nga Shtetet e Bashkuara dhe përjashtimit nga grupi parlamentar demokrat në shtator të vitit 2021, e disa muaj më vonë dhe i vendimit për të mos e konsideruar më atë pjesë të Partisë Demokratike, zoti Bardhi ka vijuar t’i bëjë bisht pyetjes nëse e njeh zotin Berisha si kryetar. Ai dhe pas mbledhjes së grupit në selinë e PD-së, është mjaftuar të thotë se “unë njoh vetëm vullnetin e demokratëve”.
Disa nga deklaratat e tij edhe sot, bëjnë të qartë se mes palëve “të bashkuara për të luftuar rregjimin e kryeministrit Edi Rama” , ka dallime të thella për disa çështje, si ajo që lidhet me drejtësinë, apo raportet me administratën amerikane. “Partia Demokratike është partia më properëndimore se çdo forcë tjetër politike më vend. Ne besojmë tek aleatët tanë strategjik. Ne besojmë gjithashtu, se Shqipërisë i duhet një drejtësi e pavarur, pa ndërhyrje politike, por ne duhet të theksojmë me forcë se ne nuk jemi në luftë me drejtësinë! Do ta mbështesim dhe nxisim atë pa komplekse që të zbatojë ligjin, por edhe do të themi të vërtetën para shqiptarëve sa herë që do të konstatojmë se peshorja e drejtësisë disbalancohet nga ndërhyrjet politike”, u shpreh zoti Bardhi, në një kohë që kolegët e tij të Rithemelimit e shohin Drejtësinë e veçanërisht SPAK-un “një vegël të qeverisë”, duke mos kursyer sulme të egra, e cilësimet si “një organizatë kriminale” sidomos pasi zoti Berisha u vu nën hetim dhe aktualisht është në arrest shtëpie.
Por për zotin Bardhi “prania jonë sot këtu do të thotë mirëkuptim, respekt për mendimin ndryshe. Ne jemi të bashkuar në diversitet, duke ruajtur secili qëndrimet tona, sepse ne kemi më shumë gjëra që na bashkojnë sesa nga ato që na kanë ndarë deri dje”.
Të gjithë së bashku morën më pas pjesë dhe në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Rithemelimit, ku temë kryesore ishte organizimi i protestës së paralajmëruar për më 20 shkurt.