Izraeli nuk duhet të kryejë asnjë operacion ushtarak në qytetin me popullsi të dendur Rafah, në Gazë, pa “një plan të besueshëm dhe të zbatueshëm” për mbrojtjen e civilëve, i tha Presidenti Joe Biden kryeministrit Benjamin Netanyahu të dielën, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Kjo është gjuha më e vendosur që ka përdorur Presidenti Biden mbi ndërhyrjen e mundshme.
Telefonata e Presidentit Biden me kryeministrin Netanyahu u zhvillua disa ditë pasi udhëheqësi amerikan u tha gazetarëve se ndërhyrja e Izraelit në rajonin palestinez të Gazës ishte "e tepruar” dhe bëri thirrje për të ndërmarrë hapa “urgjentë dhe të posaçëm” për të forcuar ndihmën humanitare për palestinezët në rajon.
Shtëpia e Bardhë tha se biseda telefonike u përqëndrua gjithashtu në përpjekjet e vazhdueshme për të bërë të mundur lirimin e pengjeve të marra nga grupi Hamas gjatë sulmit të 7 tetorit ndaj Izraelit.
Shtëpia e Bardhë shtoi se dy udhëheqësit ranë dakord që të vazhdonin të qëndronin në komunikim të ngushtë.
Televizioni izraelit Kanali 13 tha se biseda zgjati 45 minuta.
Agjencitë e ndihmave thonë se një ndërhyrje në Rafah do të ishte katastrofike.