Një ukrainas 71-vjeçar vdiq në Rusi në dhjetor në pritje të gjykimit për spiunazh dhe krime të tjera, tha të dielën organizata e të drejtave të njeriut “Memorial”, duke cituar dokumentet e gjykatës.
Rusia ka ngritur akuza për spiunazh ndaj disa qytetarëve ukrainas pas fillimi të agresionit të Moskës ndaj Kievit, veprim të cilin Kremlini e quan operacion special ushtarak.
Organizata “Memorial” tha se kishte pak të dhëna për zotin Viktor Demchenko, i cili mendohet se ka vdekur në një objekt paraburgimi në rajonin jugor të Rostovit. Çështja kundër tij u dërgua në muajin gusht në një gjykatë ushtarake në qytetin e Rostov-on-Don.
Agjencia ruse e lajmeve TASS tha se për shkak të vdekjes së tij gjykata e kishte mbyllur çështjen kundër zotit Demchenko, i akuzuar gjithashtu për pjesëmarrje në një "grup terrorist" dhe mbajtje të paligjshme të armëve dhe municioneve.
Agjencia ruse e lajmeve citoi zyrtarët e zbatimit të ligjit të kenë thënë se zoti Demchenko vdiq më 31 dhjetor nga pasojat e një goditjeje në tru që kishte pësuar më parë. Nuk është e qartë arsyeja e vonesës së informacioneve për vdekjen e 71-vjeçarit ukrainas.