Netanyahu urdhëron ushtrinë të përgatisë planin për evakuimin e civilëve në Rafah

  • VOA

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të premten se ka urdhëruar ushtrinë të përgatisë një plan për të evakuuar civilët nga qyteti jugor i Rripit të Gazës, Rafah, përpara një sulmi të pritshëm tokësor.

“Është e pamundur të arrihet qëllimi i luftës për eliminimin e Hamasit duke lënë katër njësi ushtarake të Hamasit në Rafah”, tha ai në një deklaratë.

Ai tha se i kishte kërkuar Forcave të Mbrojtjes të Izraelit që të paraqesnin një plan për evakuimin e civilëve dhe shkatërrimin e batalioneve.

Deklarata nuk përcaktonte një afat kohor për planin apo se ku mendonte ai se mund të evakuoheshin më shumë se 1.4 milionë palestinezë.

Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara kanë thënë vazhdimisht se tani nuk ka askund siguri në Gazë.

Zoti Netanyahu tha këtë javë se qytetet Rafah dhe Khan Younis janë "dy bastionet e fundit të Hamasit". Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

Rafah, 9 shkurt, 2024.


Qyteti Rafah, në kufi me Egjiptin, është pikë kryesore për hyrjen e ndihmave humanitare. Egjipti ka paralajmëruar se ndërhyrjet tokësore në këtë qytet, ose zhvendosja masive përtej kufirit do të minonte traktatin e paqes me Izraelin, që zbatohet prej 4 dekadash.

Të paktën tetë persona u vranë të premten nga sulmet izraelite në Rafah në Rripin e Gazës, në mesin e të cilëve gra dhe fëmijë.


Paralajmërimi amerikan


Njoftimi i kryeministrit izraelit erdhi disa orë pasi Presidenti i Shteteve të Bashkuara bëri disa nga kritikat më të ashpra ndaj ndërhyrjes ushtarake të Izraelit. “Mendoj se përgjigja në Rripin e Gazës është e tepruar…”, u shpreh zoti Biden.

Pentagoni tha të premten se Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin bisedoi me homologun e tij izraelit, Yoav Gallant, të enjten. Gjatë bisedës, zoti Austin "përsëriti nevojën për mbrojtjen e civilëve ndërsa Izraeli kryen operacionet kundër Hamasit".

Shtëpia e Bardhë tha të enjten se nuk do të mbështeste asnjë plan të Izraelit për operacione të mëdha ushtarake në Rafah dhe se Sekretari i Shtetit Antony Blinken i kishte bërë të qarta shqetësimet e Shteteve të Bashkuara për operacione të tilla.

"Çdo operacion i madh ushtarak në Rafah tani, në këto rrethana, me më shumë se një milion, ndoshta më shumë se një milion e gjysmë palestinezë që po kërkojnë strehim dhe kanë kërkuar strehim në Rafah, pa marrë parasysh sigurinë e tyre do të ishte një katastrofë dhe ne nuk do ta mbështesim atë”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Kirby

Pavarësisht paralajmërimeve publike ndaj Izraelit, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin fort ofensivën ushtarake të Izraelit për të eliminuar Hamasin.

Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se beson se ka ende një rrugë drejt një armëpushimi të përkohshëm. Javën e ardhshme, Presidenti Biden pritet të takohet me Mbretin Abdullah të Jordanisë në kuadër të përpjekjeve për armëpushim dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve.

Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi thotë se sulmi i Izraelit në Gazë ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 27 mijë palestinezëve.

Izraeli nisi luftën pas sulmit të 7 tetor nga grupi i Hamasit, që sipas autoriteteve izraelite la të vrarë 1,2000 persona ndërsa 240 të tjerë u morën peng.

Disa informacione për këtë lajm u morën nga agjencitë Associated Press dhe Reuters.