Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy zëvendësoi sot komandantin e ushtrisë ukrainase Valerii Zaluzhnyi, një hap që ndryshon rrënjësisht strategjinë e luftës së Ukrainës kundër Rusisë që po hyn në vitin e tretë, ndërsa përballet me mungesë municionesh dhe rekrutësh.
Përmes një postimi në platformën sociale X, zoti Zelenskyy njoftoi se u takua me Gjeneralin Zaluzhnyi, të cilin e falenderoi për shërbimin e tij dy vjeçar në krye të ushtrisë ukrainase dhe i tha se ka ardhur koha që dikush tjetër të udhëheqë ushtrinë.
“Koha për ripërtëritje është tani”, deklaroi zoti Zelenskyy.
Në vend të tij, zoti Zelenskyy emëroi gjeneralin Oleksandr Syrskyi, komandant i forcave tokësore të Ukrainës. Gjenerali Syrskyi, 58 vjeç, që nga viti 2013 ka qenë i angazhuar në përpjekjet e ushtrisë ukrainase për të integruar standardet e NATO-s.
Me një mesazh në platformën Telegram, zoti Zaluzhnyi nuk njoftoi se është larguar nga detyra, por tha se ka pranuar se “të gjithë duhet të ndryshojnë dhe t’i përshtaten realitetit të ri” dhe se pajtohet se ekziston një “nevojë për të ndryshuar qasjen dhe strategjinë” e luftës.
Deklarata vjen disa ditë pas spekulimeve në mediat vendore që raportuan se zoti Zelenskyy do ta shkarkonte gjeneralin Zaluzhnyi, ndryshimi më thelbësor ky që nga fillimi i sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës më 24 shkurt të vitit 2022.
Gjenerali i shkarkuar Zaluzhnyi ishte shumë i respektuar nga ushtarët e tij dhe nga zyrtarët e huaj. Disa analistë kanë paralajmëruar se largimi i tij mund të sjellë një shpërqëndrim jo të mirëpritur dhe të shkaktojë ndasi ndërmjet ushtrisë ukrainase dhe politikanëve, si dhe të krijojë paqartësi me aleatët perëndimorë të Kievit.
Ndasitë në radhët e drejtuesve të lartë të Ukrainës u shfaqën publikisht së fundmi kur filluan edhe njoftimet për shkarkimin e zotit Zaluzhnyi më 29 janar. Zyra e zotit Zelenskyy dhe Ministria e Mbrojtjes i mohuan pretendimet, por njoftimet ushqyen pritshmërinë se ai do të largohej.
Tensionet ndërmjet zotit Zelenskyy dhe gjeneralit Zaluzhnyi – dy figurat kryesore të luftës së Ukrainës – filluan pasi kundër-ofensiva e shumëpritur nuk arriti të përmbushë synimet për të çarë vijën e mbrojtjes ruse. Aleatët perëndimorë të Ukrainës kanë dhënë armatim me vlerë prej miliarda dollarësh për të ndihmuar Kievin.
Pas disa muajve, krahas shenjave të lodhjes nga lufta në Perëndim, gjenerali Zaluzhnyi e përshkroi konfliktin si në “ngërç“, në një kohë kur Presidenti Zelenskyy po argumentonte në kryeqytetet e huaja se armatimi i ri ishte jetik.