Parlamenti Evropian përmes një rezolute kërkon hetim ndërkombëtar për zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi

  • Leonat Shehu

Parlamenti Evropian miratoi të enjten një rezolutë me anë të së cilës dënoi parregullsitë e raportuara në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi, kërkoi hetim ndërkombëtar të tyre dhe kushtëzimin e vazhdimit të procesit të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian me respektimin e standardeve demokratike.

Rezoluta që u miratua me shumicë votash thekson se zgjedhjet në Serbi nuk u mbajtën në kushte të drejta, për shkak të abuzimit të vazhdueshëm dhe sistematik të institucioneve dhe mediave nga pushtetarët për të fituar një avantazh të padrejtë.

Në rezolutë bëhet thirrje për një hetim të pavarur nga ekspertë dhe institucione të respektuara juridike ndërkombëtare për parregullsitë e zgjedhjeve parlamentare, rajonale dhe lokale, në veçanti për zgjedhjet në Beograd.

Parlamenti Evropian shpehu keqardhje për siç tha “mungesën e përgjigjes institucionale ndaj dyshimeve serioze se pushtetarët ishin të përfshirë në manipulime dhe abuzime zgjedhore, gjë që ruan mosndëshkimin dhe siguron vazhdimin e këtyre praktikave.

Lexoni edhe këtë Rifillojnë protestat në Serbi – opozita kërkon anulimin e zgjedhjeve të diskutueshme

Parlamenti dënon gjithashtu mungesën e rezultateve në ndjekjen dhe sanksionimin e veprave zgjedhore, duke përfshirë “akuzat serioze për manipulim të paligjshëm të Regjistrit të Zgjedhësve dhe të drejtave të votës, trysnitë dhe frikësimet ndaj qytetarëve dhe kandidatëve për zgjedhje, rastet e korrupsionit, falsifikimit të nënshkrimeve të qytetarëve, klientelizmit, dhe abuzimi i paligjshëm dhe i paligjshëm i të dhënave të qytetarëve”.

Rezoluta dënon po ashtu mungesën e pluralizmit mediatik gjatë fushatës zgjedhore, dezinformimin dhe raportimet e shumta joetike dhe të njëanshme mediatike në favor të pushtetarëve.

“Gjatë dekadës së fundit që nga ardhja në pushtet e presidentit (Aleksandar) Vuçiç, ka pasur një erozion të vazhdueshëm të lirisë së medias në Serbi, i karakterizuar nga trysnia politike, kërcënimet dhe madje edhe sulmet fizike kundër gazetarëve”, thuhet në rezolutë ku kërkohet pezullimi i fondeve të Bashkimit Evropian.

“Negociatat e pranimit me Serbinë duhet të shkojnë përpara vetëm nëse vendi bën përparim të rëndësishëm në reformat e tij të lidhura me Bashkimin Evropian, duke përfshirë zbatimin e plotë të rekomandimeve zgjedhore të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Nëse autoritetet serbe nuk janë të gatshme të zbatojnë rekomandimet kryesore të zgjedhjeve ose nëse gjetjet e hetimit tregojnë se autoritetet serbe ishin të përfshira drejtpërdrejt në mashtrimin e votuesve, financimi i Bashkimit Evropian duhet të pezullohet në bazë të shkeljeve të rënda të rregullit të ligjit në lidhje me zgjedhjet në Serbi”, thuhet në rezolutë.

Partia Përparimtare Serbe e presidentit Aleksandar Vuçiç doli fituese ne zgjedhjet e 17 dhjetorit, por aleanca kryesore e opozitës, “Serbia kundër dhunës”, pretendon se zgjedhjet u vodhën, veçanërisht në votimet për pushtetin lokal në Beograd.

Vëzhguesit ndërkombëtarë thonë se zgjedhjet u mbajtën në kushte të padrejta, duke vënë në dukje parregullsi serioze që përfshinin mbushjen e kutive të votimit dhe blerjen e votave.

Lexoni edhe këtë Inaugurohet parlamenti i ri i Serbisë mes tensioneve nga parregullsitë në zgjedhje

Disa vëzhgues lokal të zgjedhjeve thanë se votues nga e gjithë Serbia dhe vendet fqinje u dërguan me autobus në Beograd për të votuar dhe mbështetësit e opozitës pohojnë se ata regjistruar në adresa false në kryeqytetin serb.

Presidenti Vuçiç dhe partia e tij i kanë cilësuar raportet të “sajuara”. Presidenti serb hodhi poshtë muajin e kaluar mundësinë për ndonjë hetim të jashtëm, duke thënë se zgjedhjet janë "një çështje e institucioneve shtetërore serbe".