Presidenti Biden fajëson ish-Presidentin Trump për bllokim të projektligjit për sigurinë kufitare

Presidenti Joe Biden tha se një projektligj ndërpartiak që parashikon ndihmë financiare për Ukrainën dhe fonde për rritjen e sigurisë në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës është bllokuar në Kongres. Presidenti demokrat bëri përgjegjës për situatën ish-presidentin Donald Trump, kandidati kryesor republikan për president.

Ai i bëri thirrje Kongresit të “tregojë vendosmëri” dhe të kundërshtojë ish-Presidentin.

Projektligji duket se po shkon drejt mosmiratimit, pasi republikanët në Senat sinjalizuan kundërshtimin e tyre. Kjo e lë presidentin Biden pa ndonjë rrugë të qartë për të çuar përpara ndihmën për Ukrainën, përmes Kongresit.

"Sinjalet tregojnë se ky projektligj nuk do të shkojë në Senat. Përse? Arsyeja e thjeshtë: Donald Trump-i", tha Presidenti Biden. "Sepse Donald Trump-i mendon se kjo e dëmton politikisht".

Shqetësimet për emigracionin janë bërë një ndër çështjet kryesore në fushatën presidenciale të këtij viti, ndërsa ish-Presidenti Trump përgatitet për një tjetër përballje me Presidentin Joe Biden.

Zoti Trump ka nxitur republikanët në Kongres të refuzojnë marrëveshjen ndërpartiake rreth sigurisë kufitare, e cila u bë publike të dielën.

Lexoni edhe këtë Ligjvënësit republikanë, mosmarrëveshje rreth legjislacionit për sigurinë


Projektligji me një buxhet prej 118 miliardë dollarësh, që përfshin gjithashtu ndihmën për Izraelin dhe Ukrainën, po humbet mbështetjen në Kapitol. Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve janë shprehur kundër ndërsa më shumë se 20 senatorë republikanë kanë thënë se parashikimet ligjore nuk janë të rrepta mjaftueshëm.

Disa demokratë e kanë kundërshtuar gjithashtu projektligjin sepse thonë se disa nga masat e tij i trajtojnë emigrantët shumë ashpër.

Presidenti Biden nuk i përmendi kundërshtitë në radhët e demokratëve, por fajësoi republikanët se po i nënshtrohen trysnisë së ish Presidentit Trump, që sipas tij, i ka kontaktuar ligjvënësit republikanë për t'i "frikësuar ata që të votojnë kundër këtij propozimi".

“Sinqerisht, ata e kanë detyrim ndaj popullit amerikan të tregojnë vendosmëri dhe të bëjnë atë që është e drejtë”, tha Presidenti Biden.

Të martën, edhe udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer kritikoi ish-Presidentin Trump për rritjen e kundërshtive ndaj marrëveshjes rreth sigurisë kufitare.

“Donald Trump-i parapëlqen që të vazhdojë kaosi në kufi, në mënyrë që ta shfrytëzojë në fushatën elektorale, në vend që të lejojë Senatin të bëjë gjënë e duhur dhe të japë zgjidhje për situatën”, tha zoti Schumer.