Inaugurohet parlamenti i ri i Serbisë mes tensioneve nga parregullsitë në zgjedhje

Parlamenti i Serbisë u mblodh të martën për seancën e tij të parë pas zgjedhjeve të kontestuara të vitit të kaluar dhe akuzave të opozitës për mashtrime zgjedhore.

Gjatë seancës, ligjvënësit e opozitës refuzuan të bënin betimin, duke protestuar duke i rënë bilbilave, duke valëvitur pankarta dhe duke shkëmbyer fyerje me ata të koalicionit qeverisës.

Ligjvënësit nga aleanca opozitare Serbia kundër dhunës përsëritën thirrjen e tyre për anulimin e rezultateve dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

"Ne jemi të gatshëm. Dhe do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë, që së bashku me qytetarët serbë të arrijmë drejtësi. Do të bëjmë gjithçka që këto rezultate të zgjedhjeve të anulohen. Do të bëjmë gjithçka që situata në Serbi të normalizohet dhe që hajdutët të përfundojnë në burg” tha një nga drejtuesit e opozitës, Miroslav Aleksiç.

"Vjedhja më brutale e zgjedhjeve ka ndodhur në Serbi dhe për këtë arsye opozita proteston dhe po ndodh kjo. Ne kërkojmë që këto zgjedhje të anulohen dhe të mbahen përsëri në kushte të drejta dhe të ndershme”, tha ligjvënësi i opozitës Radomir Lazoviç.

Më 17 dhjetor, Partia Progresive Serbe në pushtet e presidentit Aleksandar Vuçiç siguroi afër 47 për qind të votave, ndërsa aleanca opozitare Serbia kundër dhunës mori rreth 26 për qind të votave.

Lexoni edhe këtë Rifillojnë protestat në Serbi – opozita kërkon anulimin e zgjedhjeve të diskutueshme

Partitë opozitare kanë akuzuar qeverinë e presidentit Vuçiç për organizimin e një mashtrimi në votimet parlamentare dhe lokale të 17 dhjetorit, veçanërisht në Beograd, kryeqytetin serb.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve e ka shpallur Partinë Përparimtare Serbe të Vuçiçit fituese të zgjedhjeve dhe ka hedhur poshtë ankesat e opozitës. Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur ende për ankesat.

Vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se partia në pushtet kishte fituar një avantazh të padrejtë përmes paragjykimeve mediatike, ndikimit të pahijshëm nga Vuçiç dhe parregullsive në votim, siç është blerja e votave.

Që nga zgjedhjet, aleanca opozitare Serbia, së bashku me partitë e tjera opozitare dhe grupet e shoqërisë civile, kanë organizuar protesta duke kërkuar një përsëritje të votimit.

Opozita dhe mbikëqyrësit e të drejtave të Serbisë akuzojnë presidentin serb dhe partinë e tij Progresive Serbe në pushtet për mbytje të lirive të medias, dhunë kundër kundërshtarëve, korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Vuçiq dhe aleatët e tij i mohojnë këto akuza.

Megjithëse presidenti Vuçiç thotë se dëshiron ta udhëheqë Serbinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kritikët e akuzojnë udhëheqësin populist për imponimin e një autokracie duke marrë kontrollin mbi mediat kryesore dhe mbi të gjitha institucionet shtetërore.