Të jetosh me vetminë dhe traumën e kancerit të pashërueshëm

Një diagnozë kanceri të pashërueshëm, e përmbys jetën e një njeriu. Një gjë e tillë i ndodhi Veronika Lukasovës, një fotografe, pedagoge, artiste në Britani. Historia e saj është ajo e një gruaje që ka çdo arsye për ta shijuar jetën: Familje, karrierë të suksesshme, por me diagnozën që mori, jeta është pikërisht ajo ku nuk mund t’i mbajë shpresat. Megjithatë Veronica po e kthen betejën e saj me kancerin në një libër të hapur. Ajo po përgatit një botim me mbështetjen e një fondacioni që është kthyer në oazin e saj.

Your browser doesn’t support HTML5

Të jetosh me vetminë dhe traumën e kancerit të pashërueshëm

Veronika Lukasova është fotografe, pedagoge dhe artiste. Ajo po shkruan një libër ku përshkruan se ç’do të thotë të jetosh me kancer të pashërueshëm. Veronika është nga Republika Çeke, dhe u njoh me bashkëshortin e saj anglez, kur punonin në Universitetin e Stanfordit në Kaliforni. Ata kanë një djalë 10 vjeç, Vigo dhe jetojnë në Angli.

Në shkurt 2021, Veronika pati probleme me stomakun dhe u konsultua me mjekun. Analizat e gjakut treguan praninë e një tumori. Katër muaj më pas, ajo u diagnostikua me një kancer të rrallë pseudomiksoma peritonei, ose PMP që rritet ngadalë dhe që shpesh fillon në apendicit por edhe në organe të tjera si zorra e trashë dhe vezoret.

Në gusht 2021, Veronika bëri një operacion ku hoqi pjesërisht ose tërësisht shtatë organet e brendshme.

Megjithë gjendjen e saj të rëndë me rrezik për jetën, ajo nuk kishte mbështetjen e duhur për shkak të kufizimeve të pandemisë COVID-19.

“Ishte vërtet e vështirë ta pranoja, sepse ndjehesha e shëndetshme. Bëja fiskulturë, isha plotësisht e angazhuar. Por fillova të humbas peshë dhe vura re një farë fryrjeje të stomakut. Nuk e imagjinoja dot se si do të kaloja nga një person i shëndetshëm në një kolaps të plotë, sepse operacioni ishte brutal, pasi heqin aq shumë organe dhe është si të bësh disa operacione në një. Të gjitha këto ia kam shpjeguar edhe djalit. Çfarë do të ndodhë? Dhe e gjitha ndodhi gjatë izolimit, kështu që ata nuk mund të hynin me mua në spital”, kujton ajo.

Ajo pati komplikacione pas operacionit, mpiksje gjaku në mushkëri dhe një infeksion bakterial, që do të thoshte se kishte nevojë për transfuzion gjaku.

Sipas onkologëve, duke qenë se se ky lloj kanceri rritet kaq ngadalë, shumë njerëz nuk janë të vetëdijshëm që e kanë për vite me radhë.

Në shtator të vitit të kaluar, mjekët i thanë Veronikës se kanceri po rikthehej dhe ishte i pashërueshëm.

Ajo po përfundon një libër për të përshkruar historinë e saj me kancerin. Libri përfshin ilustrime artistike, disa prej të cilave janë frymëzuar nga piktori i njohur flamand, Jan Van Eyck.

Titulli i librit të saj "Qengji i vërtetë mistik" është një huazim i nga një nga pikturat e tij të famshme, “Adhurimi i Qengjit Mistik”, ose shkurt “Qengji mistik”.

Për Veronikën, libri është kthyer në një mision. Ajo po dobësohet e keqësohet për ditë, por për më keq i duhet të përballet me diçka edhe më të vështirë: si do t’ia thotë të birit lajmin që gjasat janë që nuk do të mbijetojë.

“U zhyta në dëshpërim dhe depresion. Si mund të funksionoja? Përgatita listën e muzikës për funeralin. Fillova të shkruaj një fjalim që të lexohej atje, një letër dashurie për djalin tim. Është gjëja më e vështirë. Nuk e dimë se sa do të jetoj. Ai e di që kanceri është kthyer, por nuk mendoj se e kupton që mund të mos jem më këtu”, shpjegon ajo.

Veronika shkon shpesh në ambjentet e qendrës Maggie's ku mirëpriten të gjithë ata që jetojnë me kancer, web only: pa u trazuar nga ajo që thonë të tjerët, marrin këshilla për për trajtimin e tyre dhe mbështetje praktike për familjet dhe veten e tyre. Veronika thotë se ky vend është shndërruar në oazin e saj.

Victoria Curran drejton qendrën Maggie’s në spitalin Shën Bartolomeu në qytetin e Londrës. Ajo thotë se këto qendra u ofrojnë pacientëve një hapësirë aq të nevojshme mbrojtëse.

“Kur merr një diagnozë të tillë, humbet aq shumë kontroll. Të thonë të tjerët ku duhet të shkosh, në çfarë ore janë takimet. Të gjesh diçka që dëshiron të bësh për veten, të jep forcë dhe mbështetje. Dhe ne i ndihmojmë pacientët ta gjejnë një gjë të tillë”.

Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin parashikon se deri në vitin 2050 do të ketë mbi 35 milionë raste të reja të kancerit në gjithë botën. Agjencia, pjesë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) thotë se kjo shënon një rritje prej 77%, nga 20 milionë rastet e regjistruara në vitin 2022.

Në të gjithë botën, kriza e kostos së jetesës ka frenuar më tej aftësinë e shumë njerëzve për qasje të shpejtë në trajtim. Një prirje që qendra Maggie’s e ka vënë re.

Zonja Curran thotë se organizata të tilla mund të ndihmojnë pacientët të kenë rezultate më të mira.

“Shohim njerëz që mund të kenë pasur më të vështirë për t'u diagnostikuar ose u është dashur të presin më gjatë për trajtim. Nëse vijnë tek ne më herët, ka shumë gjëra që ,und të bëjmë për t’i përgatitur për trajtim”, thotë ajo.

Në një dëshmi të ndihmës së kësaj qendre, Veronika thotë se libri i saj është realizuar falë vizitave tek Maggie's dhe synon që disa nga të ardhurat nga botimi të shkojnë për bamirësi.

“Ishte diçka që transformoi jetën time dhe desha të bëj diçka jo vetëm për njerëzit me të njëjtin lloj kanceri, por për të gjithë ata me kancer ose që po kalojnë diçka kaq të rëndë në jetën e tyre”, thotë Veronika.