Ligjvënësit republikanë, mosmarrëveshje rreth legjislacionit për sigurinë

  • VOA

U.S. Capitol building

Pas muajsh negociata, senatorët amerikanë do të votojnë këtë javë për një marrëveshje ndërpartiake rreth sigurisë kufitare dhe ndihmës për Ukrainën dhe Izraelin. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës në Kongres, Katherine Gypson, edhe nëse ky projekt-ligj miratohet nga Senati amerikan, ku ligjvënësit demokratë kanë shumicën, ai ka pak gjasa të miratohet në Dhomën e Përfaqësuesve të dominuar nga republikanët.

Për herë të parë pas më shumë se një dekade, ligjvënësit amerikanë do të votojnë gjatë kësaj jave në Kapitol mbi një projekt-ligj për çështjet e emigracionit. Për të siguruar përkrahjen republikane për ndihmën për Ukrainën, senatorët amerikanë kanë negociuar ndryshime në sistemin amerikan për azil dhe të politikave për çështjen e sigurisë kufitare.

“Pakoja shtesë është një mundësi e vërtetë për Dhomën e Përfaqësuesve që më në fund t’i japë përgjigje çështjes së kufijve të Amerikës dhe të bëjë përparim drejt krijimit të një sistemi më të dobishëm dhe me më shumë burime. Do të shkurtojë vonesat me vite në procesin e azilit krahas garancive për rezultate të drejta,” deklaroi udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer.

Ligji parashikon financimin për ngritjen e kapacitetit të qendrës së paraburgimit për emigrantët nga 34 mijë në 50 mijë. Po ashtu do t’i jepte fund praktikës së deritashme që u mundëson emigrantëve të qëndrojnë në Shtete të Bashkuara ndërkohë që kërkojnë azil dhe do t’ua lejonte autoriteteve amerikane të mbyllin kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën nëse ka më shumë se mesatarisht 8,500 emigrantë në ditë. Marrëveshja po ashtu përfshin 60 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, 14 miliardë për Izraelin si dhe ndihmë për shtetet e Indo-Paqësorit që po përballen me agresionin kinez. Nëse ky projekt-ligj miratohet përmes tij 10 miliardë ndihmë humanitare do të sigurohen për Bregun Perëndimor, Gazën dhe Ukrainën.

“Kam folur gjatë për nevojën urgjente që të investojmë në fuqinë amerikane dhe të fillojmë t’u tregojmë armiqve tanë se superfuqia kryesore e botës synon të fillojë të sillet si e tillë sërish. Kolegët e mi e dinë se ku qëndroj. E dinë ashtu si unë që armiqtë e Amerikës në Moskë, Pekin dhe Iran po punojnë së bashku,” deklaroi udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitch McConnell.

Në një deklaratë të lëshuar të dielën, Shtëpia e Bardhë theksoi se Presidenti Joe Biden mbështet marrëveshjen e dy partive. Ish Presidenti Donald Trump – kandidati kryesor republikan për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 – deklaroi javën e kaluar se ai kishte këshilluar ligjvënësit republikanë për marrëveshjen e mundshme rreth emigracionit.

“Shumë njerëz më kërkojnë mendim. Nëse ky ligj nuk do të jetë ligj shumë i mirë dhe që do ta zgjidhte me të vërtetë problemin, nuk do ta bëja fare. Jo për çështje politike, vetëm për interesa amerikane,” thotë ish Presidenti amerikan Donald Trump.

Kryesuesi Mike Johnson thotë se projekt-ligji, nëse miratohet nga Senati, do të hidhet poshtë në Dhomën e Përfaqësuesve ku shumicën e përbëjnë republikanët dhe që këtë javë do të fillojnë procedurën për të shqyrtuar mundësinë e shkarkimit të Sekretarit të Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas, të cilin e akuzojnë se mban përgjegjësi për krizën e kufirit.

“Pasojat e kësaj krize ishin të zymta dhe serioze dhe nuk ka mbetur asnjë komunitet në këtë vend që nuk e ka ndjerë ndikimin e saj. Kjo, e them sërish, është një krizë që mund të ishte shmangur, një zgjedhje që është bërë nga ata që janë në pushtet. Dhe sot, Dhoma e Përfaqësuesve po reagon dhe po thotë jo më," deklaroi kryesuesi i Komisionit për Rregulloret, Tom Cole.

Nëse projekt-ligji dështon të kalojë në Dhomën e Përfaqësuesve, ligjvënësit mund të detyrohen të negociojnë një ligj tjetër për ndihmën Ukrainës dhe Izraelit.