Britani, Mbreti Çarls diagnostikohet me kancer

Britain King Charles III

Mbreti Çarls është diagnostikuar me një formë kanceri dhe ka filluar trajtimin, njoftoi pallati mbretëror Buckingham të hënën. Më pak se 18 muaj pas marrjes së fronit, ai do të pezullojë detyrat publike, por do të vazhdojë të kryejë detyrimet zyrtare dhe ato kushtetuese si kreu i shtetit.

Pallati mbretëror tha se kanceri nuk lidhet me trajtimin e fundit për zmadhimin e prostatës, por nuk dha hollësi mbi llojin e kancerit që ka monarku 75-vjeçar.

Pallati tha se "diçka tjetër shqetësuese u vu re" gjatë trajtimit të Mbretit Çarls për zmadhimin e prostatës, që u diagnostikua në janar dhe për trajtimin e të cilit ai kaloi tre netë në një spital në Londër.

“Testet diagnostike kanë identifikuar një formë kanceri”, thuhet në një deklaratë.

Pallati shtoi se mbreti "ka zgjedhur të ndajë me publikun diagnozën e tij për të parandaluar spekulimet dhe me shpresën se mund të ndihmojë në ndërgjegjësimin e publikut për të gjithë ata në mbarë botën që janë të prekur nga kanceri".

Çarls u bë mbret në shtator 2022, pasi nëna e tij Mbretëresha Elizabeth II vdiq në moshën 96-vjeçare.

Udhëheqësit politikë në Britani ofruan mesazhe mbështetjeje për Mbretin Çarls. Kryeministri Rishi Sunak shkroi në platformën X: “I uroj Madhërisë së Tij një shërim të plotë dhe të shpejtë. Nuk kam dyshim se ai do të kthehet me forca të plota në detyrë brenda një kohe të shkurtër dhe e di që i gjithë vendi do t'i urojë atij shërim të shpejtë."

Mbreti Çarls doli nga tradita mbretërore me publikimin e diagnozës së tij të zmadhimit të prostatës. Për shekuj me radhë, familja mbretërore e Britanisë nuk i ka bërë publike problemet shëndetësore.

Kur monarkët e Mbretërisë së Bashkuar kishin më shumë pushtet, lajmet për sëmundjet e tyre mbaheshin të fshehta nga frika se ato mund të dobësonin autoritetin e tyre. Kjo traditë vazhdoi edhe pasi roli i monarkëve në kushtetutën e vendit u bë më simbolik.

Publiku britanik nuk u njoftua kur gjyshi i Mbretit Çarls, Mbreti George VI, kishte kancer në mushkëri përpara se ai të vdiste në shkurt të vitit 1952 në moshën 56-vjeçare.