Në Tiranë, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, deklaroi sot se vënia në pikëpyetje e zbatimit të vendimeve të kësaj gjykate është e papërfytyrueshme në një shtet ligjor.
Zonja Zaçaj i bëri këto komente teksa u pyet nga gazetarët për moszbatimin ende të vendimeve të gjykatës mbi çështjen e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka si dhe mbi çështjen e votimit të Diasporës.
Your browser doesn’t support HTML5
Nënkryetarja socialiste e Kuvendit, Ermonela Felaj, i tha sot Zërit të Amerikës, se “Kuvendi është marrë gjerësisht me çështjen e mandatit të deputetes Xhaçka edhe pas vendim-marrjes së Gjykatës Kushtetuese.
Ashtu si për votimin e diasporës edhe për çështjen e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka ka marrë vendime prej shumë muajsh nga Gjykata Kushtetuese, por ato ende nuk janë zbatuar nga Kuvendi.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, deklaroi sot ligjvënësi nuk ka menduar për ndonjë mekanizëm kontrollues për moszbatimin e vendimeve të kësaj Gjykate, sepse ato janë të zbatueshme.
Kryetarja Zaçaj tha në një konferencë me shtypin se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe se pikëpyetjet mbi zbatimin e tyre nuk mund të përfytyrohen.
“Të vësh në pikëpyetje zbatimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese është e paimagjinueshme në një shtet ligjor. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të formës së prerë, përfundimtarë dhe për t’u zbatuar. Nuk ka ekuivoke në vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, tha zonja Zaçaj
Në mes të qershorit 2022 një grup deputetësh të opozitës i kërkuan Kuvendit përmes një mocioni të nisë procedurat e konstatimit të pavlefshmërinë dhe mbarimit të mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka, duke pretenduar shkeljen prej saj të nenit 70 të Kushtetutës mbi konfliktin e interesit.
Në nëntor Kuvendi rrëzoi raportin e pakicës në këshillin e rregullores dhe mandateve dhe imuniteteve dhe miratoi raportin e shumicës socialiste, akte që sillnin mosdërgimin e kësaj çështjeje në Gjykatën Kushtetuese, si organi që konstaton papajtueshmërinë.
Opozitarët iu drejtuan Gjykatës dhe në janarin e 2023 ajo i shfuqizoi të dy vendimet si të papajtueshme me Kushtetutën.
Pas kësaj Kuvendi do të duhej të riniste nga fillimi procedurat, gjë që ende nuk ka ndodhur.
E pyetur sot nga Zëri i Amerikës mbi procedurën në Kuvend lidhur me mandatin e deputetes Xhaçka, nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, deklaroi se “Kuvendi është marrë gjerësisht me këtë çështje edhe pas vendimmarrjes së Kushtetueses, duke angazhuar këshillin e legjislacionit”. Ajo shtoi se përbërja e tij është ndërpartiake, me përfaqësi të njëjtë (juristë) mazhorancë opozitë.
“Këshilli caktoi edhe ekspertin kushtetues Krenar Loloçi për pyetjet që anëtarët patën për leximin dhe kuptimin drejt të vendimit. Dokumentat parlamentare pasqyrojnë qartë çdo diskutim dhe ato janë lirisht të aksesueshme sikundër dhe raporti i këshillit për çështjen në fjalë”, tha zonja Felaj për Zërin e Amerikës.
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar prej një viti vendimet e Kuvendit, që synuan të pengonin dërgimin në atë gjykatë të një mocioni për të gjykuar mbi papajtueshmërinë dhe mbarimin e mandatit të deputetes Xhaçka.
Deputetët opozitarë, që vunë lëvizje Gjykatën Kushtetuese, kanë kërkuar prej një viti vazhdimisht të mblidhet Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve për të shqyrtuar dhe zbatuar vendimin e gjykatës, por kjo çështje ende nuk është kthyer mbi tryezat e ligjvënësve. Gjykata Kushtetuese është, prej Kushtetutës, i vetmi autoritet që mund të vlerësojë mbi pavlefshmërinë ose jo të mandatit të një deputeti.
Mandati i deputetes socialiste Olta Xhaçka u vu në në diskutim nga opozita, e cila pretendoi se ajo ishte në konflikt interesi, teksa kompania e bashkëshortit të saj Artan Gaçi, me statusin e investitorit strategjik në ndërtimin e një hoteli luksoz në jug të vendit, përfitonte shfrytëzimin e bregdetit pranë objektit.
Të dy ata i kanë hedhur poshtë dyshimet për konflikt interesi përmes avokatëve si dhe me deklarime personale.
Në shtator kryeministri Edi Rama e largoi zonjën Xhaçka nga detyra e ministres për Europën dhe Punët e Jashtme.
Ndërsa në tetor një pjesë e pronës së zotit Gaçi në Gjilekë pranë Dhërmiut, ku pritet të ndërtohet një kompleks turistik, u vendos nën sekuestro preventive nga SPAK-u, pas dyshimeve se trualli është privatizuar me dokumente të falsifikuar.