Sulm me thikë në Paris, plagosen tre persona

Si pasojë e një sulmi me thikë mëngjesin e së shtunën në Paris, u plagosën tre persona. Ngjarja ndodhi në stacionin hekurudhor ‘Gare de Lyon’ bënë të ditur autoritetet duke shtuar se në këtë fazë të hetimit, kanë përjashtuar pistën e terrorizmit si motiv për ngjarjen.

Policia arrestoi personin e dyshuar, që sipas autoriteteve shfaqte shenja të çrregullimit mendor. Shefi i policisë së Parisit, Laurent Nunes u tha gazetarëve se atij i ishin gjetur ilaçe, çka sugjeron sipas tij, se ai po trajtohej nga ndonjë sëmundje.

Dy nga viktimat u plagosën lehtë, ndërsa një i tretë është lënduar më rëndë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Autori i sulmit, i cili dispononte një leje qëndrimi italiane dhe ndodhej në mënyrë të ligjshme në Francë, e kreu sulmin me thikë dhe çekiç.

Sipas mediave franceze ai ishte me origjinë nga Mali, por zoti Nunes nuk e konfirmoi një gjë të tillë.