Në Shqipëri u nderua sot me një tubim të qytetarëve, studiuesve dhe diplomatëve Dita e Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit.
Folësit vlerësuan përpjekjet e diplomatëve dhe popullit shqiptar në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Your browser doesn’t support HTML5
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, theksoi se edhe sot gjatë luftës dhe tragjedisë në Izrael e Gaza, kjo ditë na kujton se asgjë nuk mund të justifikojë antisemitizmin dhe urrejtjen racore apo fetare.
Në tubimin e organizuar nga ministria e punëve të jashtme, ku morën pjesë studiues, historianë, diplomatë dhe familje që kanë shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, u nderuan miliona hebrenj që u vranë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në atë periudhë të rëndë të historisë shumë familje shqiptare strehuan dhe u shpëtuan jetën nga nazistët mijëra familje hebreje, madje Shqipëria u cilësua si i vetmi vend ku nuk humbi jetën asnjë hebre dhe vendi ku numri i hebrenjve pas luftës ishte shumë herë më i madh se ai para luftës.
Ministri për Europën dhe Punët e Punëve të Jashtme, Igli Hasani, tha se kjo ditë përkujtimore ndërkombëtare mbahet në një kohë me tragjedinë në Izrael dhe Gaza, ndaj merr një rëndësi të veçantë.
“Kjo ditë na kujton se duhet të punojmë shumë, duhet të bëjmë shumë për të edukuar shoqëritë tona kundër çdo lloj urrejtje e diskriminimi racor, fetar, etnik apo çfarëdo qoftë. Kjo bëhet veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e krizës në Lindjen e Mesme e luftës në Gaza, si pasojë e së cilës kemi parë anembanë botës, një rritje të papranueshme të antisemitizmit, por edhe të dhunës me bazë etnike dhe fetare në përgjithësi”, tha ministri Hasani.
Ai theksoi se janë pikërisht këto rrethana të luftës, që sjellin në këtë ditë përkujtimore mesazhin se antisemitizmi nuk mund të justifikohet.
“Pikërisht konteksti i luftës e bën këtë Përkujtim të domosdoshëm për të dhënë një mesazh të thjeshtë e të qartë: asgjë nuk mund të justifikojë antisemitizmin, atë që është përkufizuar si një lloj urrejtje e thellë dhe speciale e rezervuar për hebrenjtë, që shkon përtej konfliktit politik, përtej edhe armiqësisë apo paragjykimeve që mund të ekzistojnë normalisht mes popujve të ndryshëm, dhe i akuzon ata si bartës të një ligësie thuajse kozmike e djallëzore. Asgjë nuk mund të justifikojë asnjë lloj racizmi dhe dhune me bazë etnike dhe fetare”, tha zoti Hasani.
Shqipëria është angazhuar për t’u anëtarësuar në Aleancën Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit, ndërsa tre vjet më parë Kuvendi miratoi përkufizimin e antisemitizmit të përcaktuar nga kjo Aleancë.
Këto hapa të fundit të diplomacisë shqiptare janë në vazhdim të traditës së hershme të shoqërisë shqiptare për të luftuar antisemitizmin e çdo lloj tjetër urrejtje e diskriminimi, dhe si një mënyrë për të respektuar ato familje shqiptare, që rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar jetën e hebrenjve në territorin e Shqipërisë nga tragjedia e Holokaustit.