Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e urdhëroi Izraelin të premten që të marrë të gjitha masat e mundshme për të parandaluar aktet e gjenocidit ndërsa vazhdon ofensivën kundër militantëve të Hamasit në Rripin e Gazës.
Gjykata tha se Izraeli duhet të sigurohet që ushtria të mos kryejë gjenocid dhe të marrë masa për të përmirësuar situatën humanitare të palestinezëve në Rripin e Gazës.
Gjykata nuk ka marrë vendim lidhur me thelbin e çështjes së ngritur nga Afrika e Jugut, nëse ka ndodhur gjenocid në Gazë, por njohu të drejtën e palestinezëve në Gazë për t’u mbrojtur nga aktet e gjenocidit.
Në çështjen e ngritur përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), Afrika e Jugut kishte kërkuar ndaljen e menjëhershme të operacionit ushtarak izraelit në Rripin e Gazës. Gjykata nuk e pranoi këtë kërkesë. Ofensiva izraelite ka shkatërruar një pjesë të mirë të territorit ndërsa janë vrarë më shumë se 25,000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës së kontrolluar nga Hamasi.
Izraeli i kishte kërkuar gjykatës që ta refuzonte çështjen në tërësi, duke thënë se e respekton ligjin ndërkombëtar dhe se ka të drejtë të vetëmbrohet.
Afrika e Jugut argumentoi dy javë më parë se ofensiva ajrore dhe tokësore e Izraelit kishte për qëllim të sillte "shkatërrimin e popullsisë" së Gazës.
Izraeli e ndërmori ofensivën në Gazë pas sulmit terrorist më 7 tetor nga militantët e Hamasit. Zyrtarët izraelitë thanë se militantët vranë1200 njerëz, kryesisht civilë, dhe morën peng 240 të tjerë.