Kina udhëheq tashmë në industrinë e ndërtimit në Nigeri, sipas të dhënave të ambasadës kineze në Abuja. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Alhassan Balal, kompanitë kontraktore nigeriane dhe inxhinierët thonë se firmat kineze po i përjashtojnë nga shumë projekte madhore.
Your browser doesn’t support HTML5
Inxhinieri Saeed Maigari punon si kontraktor vendas në sheshet e ndërtimeve që janë shtuar në Abuja. Por ai thotë se prania e kompanive të mëdha kineze të ndërtimit në Nigeri i ka kufizuar ndërtuesit vendas tek projektet e vogla, kryesisht për ndërtimin e shtëpive.
“Shumë prej kontraktorëve vendas nuk kanë kapacitetet për të konkuruar me kontraktorët e huaj, pasi nuk kanë ekspertizën, nuk kanë eksperiencën. Ata ndërkaq kanë paisjet teknike dhe aspektin financiar. Pra, këto përbëjnë rrezik për kontraktorët tanë vendas. Prandaj kontraktorët lokalë e kanë kthyer vëmendjen tek projektet e vogla të strehimit”, thotë zoti Maigari.
Kompanitë kineze kanë hyrë fuqishëm në treg. Që nga shtatori 2021, borxhi i Nigerisë ndaj Kinës është 4.1 miliardë dollarë, përgjithësisht për shkak të projekteve infrastrukturore, sipas të dhënave të Zyrës së Nigerisë për Menaxhimin e Borxhit.
Konsulenti për zhvillimin Jide Ojo mendon se kreditë kineze janë faktori që e detyron qeverinë t’ua japë kompanive kineze projektet e ndërtimit.
“Kina ta jep kredinë, por edhe të përcakton kushtet e kredisë, se ata duhet të sjellin ekspertizën e tyre dhe infrastrukturën e tyre për ta zbatuar projektin. Frika është se nëse nuk arrijmë ta shlyejmë borxhin, një qeveri e ardhshme do të hasë në probleme dhe mund t’i sekuestrohen disa prej këtyre pasurive të patundshme”, thotë zoti Ojo.
Presidenti i Shoqatës Nigeriane të Inxhinierëve, Tasiu Sa’ad Gidari-Wudil, thotë se qeveria nigeriane duhet të krijojë një mjedis në mbështetje të kontraktorëve vendas.
“Qeveria duhet të investojë qëllimisht tek kontraktorët tanë vendas. Si mund të investojnë? Duke na dhënë projekte dhe duke na sfiduar”, thotë ai.
Zëri i Amerikës kontaktoi ambasadën kineze në Nigeri dhe kompaninë kineze të ndërtimit CCECC, për të marrë komentet e tyre, por nuk mori përgjigje. Ambasadori kinez në Nigeri, Cui Jianchun, u shpreh në një deklaratë se vendi i tij është kontribuesi kryesor për zhvillimin e infrastrukturës së Nigerisë.
Por për inxhinierët si zoti Maigari, dominimi i kompanive kineze të ndërtimit po largon talentin vendas, ndërsa disa kontraktorë po kërkojnë për mundësi më të mira dhe disa të tjerë kanë filluar tashmë punë në sektorë të tjerë.
“Sfida që kemi tani është se nuk po u jepen shanse, mundësi për trajnim, përgatitje, pjesëmarrje të rinjve tanë”, thotë ai.
Për momentin, zoti Maigari thotë se së bashku me kolegët e tij do t’u duhet të përqëndrohen tek ndërtimi i shtëpive.