Kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski dhe Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi dhanë sot dorëheqje nga postet e tyre për t’ia hapur rrugën formimit të qeverisë së përkohshme teknike. Për herë të parë në Maqedoninë e Veriut qeverinë pritet ta drejtojë një shqiptar dhe ky do të jetë zoti Talat Xhaferi i Bashkimit Demokratik për Integrim. Qeveria teknike pritet të miratohen të dielën deri në mesnatë.
Your browser doesn’t support HTML5
Dimitar Kovaçevski ia dorëzoi shërbimeve të parlamentit dorëheqjen nga detyra e kryeministrit, duke respektuar kështu ligjin që kërkon formimin e qeverisë teknike njëqind ditë para zgjedhjeve. Me dorëheqjen e tij, e gjithë qeveria është në largim, por pothuajse të gjithë ministrat e Lidhjes Social Demokrate, të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të Aleancës për Shqiptarët mbeten po të njejtit që do të vazhdojnë detyrën në qeverinë teknike.
Në qeverinë e përkohshme teknike do të marrë pjesë VMRO-DPMNE-ja e opozitës me dy ministra dhe tre zëvendësministra që sipas kushtetutës njihen si “zëvendësministra plotësues”.
Kryeministri në largim, Kovaçevski shpreson të fitojë zgjedhjet parlamentare të 8 majit dhe sërish të marrë postin e kreut të qeverisë. Ai tha se kishte qenë nder, krenari dhe përgjegjësi për të që ta drejtonte Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, ndërsa theksoi nevojën që shteti të ruajë rrugën strategjike, që është orientimi properëndimor dhe partneriteti me SHBA-të dhe që qeveria teknike “të kujdeset për qytetarët, sikur gjatë dy viteve të kaluara”.
“Kisha përgjegjësinë që ta drejtoj qeverinë gjatë një periudhe të jashtëzakonshme me turbulenca ndërkombëtare, por para së gjithash turbulenca ekonomike të shkaktuara nga lufta në Ukrainë”, u shpreh zoti Kovaçevski duke vlerësuar se qeveria e tij ia ka dalur me sukses t’i kapërcejë këto sfida.
Në krye të qeverisë teknike do të vijë Talat Xhaferi, kryetar i deritashëm i Parlamentit. Në këtë mënyrë Maqedonia e Veriut do të ketë për herë të parë një kryeministër shqiptar, megjithëse me një mandat të përkohshëm prej 100 ditësh.
Sipas marrëveshjes midis dy partnerëve të koalicionit qeverisës, LSDM dhe BDI, vendin e kryetarit të parlamentit do ta marrë Jovan Mitrevski, i cili është kryesues i grupit të deputetëve social-demokratë. Ndërsa, Artan Grubi vendin e Zëvendës-kryeministrit të parë do t’ia lërë Bojan Mariçiçit, i cili është i ngarkuar me çështjet e integrimeve evropiane. Zoti Grubi mbetet zëvendëkryeministër për Sistem politik dhe marrëdhënie me komunitetet.
VMRO-ja opozitare e merr Ministrinë e Punëve të Brendshme, dhe ka propozuar Pançe Toshkovskin dhe Ministrinë e Çështjeve sociale me Gjoko Vellkovskin në krye të saj. Opozitës maqedonase i takojnë edhe tre zëvendësministra (plotësues): në Ministrinë e Financave, të Shoqërisë Informatike dhe të Bujqësisë.
Zoti Xhaferi, ndërkohë pas dhënies së dorëheqjen pritet ta njoftojë presidentin e vendit, Stevo Pendarovski, i cili duhet t’ia dorëzojë mandatin për formimin e qeverisë teknike:
“Me datë 27 (janar) i mandatuari duhet t’ia dorëzojë Parlamentit propozim-programin dhe propozim-përbërjen e qeverisë (teknike) dhe me këtë hapet rruga që me datë 28 janar, që përkon me ditën e 100-të para ditës së zgjedhjeve, të zgjidhet qeveria”, tha Talat Xhaferi, Kryetar në largim i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut.
VMRO-ja e opozitës ka paralajmëruar se nuk do ta votojë zotin Talat Xhaferi për kryeministër, një gjë që mund të sjellë për rrjedhojë komplikime të tjera, me që edhe BDI-ja në atë rast nuk do të votonte anëtarët e VMRO-së në kabinetin qeveritar e njësoj do të vepronte edhe Lidhja Social-Demokrate, siç ka njoftuar kryetari i saj, Kovaçevski.
VMRO-ja dorëheqjet i quan “fillimin i fundit të Lidhjes Social Demokrate dhe të BDI-së”.
Procedurat për fomimin e qeverisë teknike duhet të përfundojnë deri në mesnatën e të dielës, më 28 janar. Kjo do të jetë qeveria e tretë teknike që del si zotim nga Marravëshja e njohur si e “Përzhinës”, të arritur në vitin 2015, që u bë për shkak të heqjes së dilemave nga mundësia e manipulimit të zgjedhjeve, me emërimin e eksponentëve të opozitës në kabinetin qeveritar.