Në Tiranë, Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar la sot në fuqi masën e “arrestit në shtëpi, nën mbikëqyrje policore” për ish kryeministrin Sali Berisha, person nën hetim lidhur me procedurat e dyshuara si korruptive në privatizimin e ish kompleksit sportiv Partizani.
Zoti Berisha kërkoi lehtësimin e masës së sigurisë, përderisa ai u paraqit për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme.
Por SPAK-u theksoi se kjo kërkesë nuk qëndron dhe duhet të rrëzohet pasi “arresti në shtëpi, me mbikëqyrje policore” erdhi si shtrëngim i një mase më të lehtë “detyrim paraqitje”, të cilën zoti Berisha nuk e respektoi, duke e cilësuar si antikushtetuese dhe të motivuar politikisht.
Avokatët e tij pohuan se ata do t’i drejtohen Gjykatës së Lartë për të lehtësuar masën e sigurisë, sepse sipas tyre, po synohet izolimi politik i zotit Berisha.
Ish kryeministri Berisha, si person nën hetim, dyshohet nga SPAK-u se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për t’i përshtatur sipas nevojave të pesë familjeve pronare në kompleksin sportiv Partizani, ku përfitues ishte edhe dhëndrri i tij, Jamarbër Malltezi.
SPAK-u ka theksuar se, si kryeministër, Sali Berisha kreu veprime aktive me kontrolle administrative, për të ushtruar presion, si dhe dha urdhëra konkretë për përfundimin e procedurave të privatizimit.
Po ashtu SPAK-u deklaroi se ish kryeministri Berisha kreu veprime active, për të vendosur në dispozicion të Malltezit struktura të ndryshme të administratës shtetërore, që të realizohej privatizimi i pronës shtetërore, ish kompleksi sportiv Partizani, trualli ku më pas u ngritën një grup pallatesh.
Malltezi u paraqit sot për herë të parë në Prokurorinë e Posaçme për t’u përgjigjur akuzave për korrupsion dhe pastrim parash. Ai u arrestua në aeroport në muajin tetor, dhe iu bllokuan pasuritë; një muaj më pas “arresti me burg” iu shndërrua në “arrest shtëpie”, por edhe ai ka kërkuar nga Gjykata e Lartë lehtësim të mëtejshëm të masës së arrestit.