Moska akuzon Kievin për rrëzimin e avionit ushtarak

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë akuzoi të mërkurën forcat ukrainase për rrëzimin e një avioni ushtarak transporti ku humbën jetën të gjithë personat në bord, mes tyre 65 të burgosur ukrainas lufte që do të shkëmbeheshin. Robërit e luftës po transportoheshin në rajonin Belgorod të Rusisë, thanë zyrtarët.

Deri në publikimin e lajmit nuk ka patur komente nga zyrtarët ukrainas. Agjencia e lajmeve Associated Press nuk ka mundur të konfirmojë se kush ndodhej në bordin e avionit të rrëzuar. Zyrtarët në Kiev bënë thirrje kundër shpërndarjes së informacioneve të paverifikuara.

Përveç 65 robërve të luftës, avioni ushtarak i transportit kishte një ekuipazh prej 6 vetash dhe tre pasagjerë të tjerë, thanë zyrtarët rus të mbrojtjes. Sipas deklaratës, radari rus regjistroi lëshimin e dy raketave nga rajoni ukrainas i Kharkiv-it në kufi me Belgorodin. Ministria e Mbrojtjes së Rusisë e quajti sulmin “një akt terrorist.”

Moska njoftoi tha se një komision i posaçëm ushtarak ishte rrugës për në vendin e rrëzimit të avionit.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, RIA Novosti, duke cituar ministrinë, tha se robërit ukrainas po transportoheshin në rajonin kufitar për t’u shkëmbyer me të burgosurit rus të luftës që mbahen nga Ukraina.

Forcat ajrore ruse janë përballur me një seri rrëzimesh të avionëve të tyre, ndërsa vëzhguesit thonë se është rrjedhojë e një numri më të madh fluturimesh mes luftimeve në Ukrainë.

Kur kanë kaluar më shumë se dy vite nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës, vija e frontit prej 1500 kilometra është kryesisht e palëvizshme ndërsa vendi po përjeton një mot të acartë.

Ndërsa të dy palët kërkojnë të plotësojnë rezervat e armatimeve, kohët e fundit lufta është përqendruar në sulme me rreze të gjatë.

Më herët, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se një sulm rus me raketa të martën shkaktoi 18 të vrarë dhe 130 të plagosur. Sulmet goditën 130 ndërtesa banimi në tre qytete të Ukrainës, "të gjitha shtëpi të zakonshme", tha Presidenti Zelenskyy në rrjetin X.

Sulmi i Rusisë, i cili përfshinte objektiva në kryeqytetin Kiev dhe qytetin e dytë më të madh Kharkiv, ishte më i madhi në javët e fundit dhe u dha peshë thirrjeve të Presidentit Zelenskyy për aleatët perëndimorë që të ofrojë më shumë ndihma ushtarake.

“Këtë vit, përparësi është forcimi i mbrojtjes ajrore për të mbrojtur qytetet dhe qytezat tona, si dhe për të mbrojtur pozicionet në vijën e frontit,” tha Presidenti Zelenskyy në rrjetin X të martën vonë.